Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja është transferuar mëngjesin e sotëm nga Durrësi në Krujë, për t’u njohur me masën e sigurisë.

Ai ka dalë nga paraburgimi në Durrës i shoqëruar nga efektivët, ndërkohë që te dera e priste furgoni i policisë.

Rexhep Rraja u arrestua pak ditë më parë pas urdhrit të Gjykatës së Krujës e cila ka dhënë ‘Arrest me burg’ në mungesë për të riun e akuzuar për dhunimin e Xhisiela Malokut.

Dhunimi i vajzës u bë publik pak ditë më parë, kur oficeri i policisë Emiljano Nuhu dëshmoi për dhunën e ushtruar ndaj vajzës së re dhe akuzoi policinë për neglizhencë si dhe tregoi se ishte kërcënuar me armë në prani të deputetit Taulant Balla.

Ndonëse ndaj tij është ngritur vetëm akuza e ‘Përndjekjes’, ekspertiza mjeko-ligjore tregoi se 25-vjeçarja ishte dhunuar.