Paraqitjet mbresëlënëse në sallonet e mëdha të futbollit turk, kanë bërë që Rey Manaj të tërheq interesin e disa klubeve. 

Në merkaton e janarit te klubi i Sivasspor-it, kanë trokitur me oferta tunduese për sulmuesin shqiptar, por drejtuesit kanë refuzuar.

Menaxheri i Sivasspor, Gökhan Karagöl zbuloi se janë bërë oferta të rëndësishme për Manaj, ndërsa ata presin që ish-sulmuesi i Interit, të largohet duke thyer një rekord.

“Ne po marrim oferta shumë serioze. Megjithatë, ne po i shtyjmë të gjitha për në fund të sezonit. Pas EURO 2024 presim që Manaj të thyejë rekordin e transferimeve mes skuadrave turke”, tha Gökhan Karagöl për programin Mixed Zone në Lig Radio. 

Arsyeja është e thjesht, Manaj po shkëlqen dhe me ritmin që ka, vlerat e tij në merkato mund të rritet më tepër. 

Për më tepër ai pritet të grumbullohet nga trajneri Sylvinho në “Gjermani 2024”, dhe Europiani është vitrina më e madhe për futbollistët. 

Deri më tani në këtë sezon, Manaj ka shënuar 11 gola në 20 ndeshje në Superligën turke, ndërsa e ka dërguar topin në rrjetë edhe 4 herë në 3 ndeshje në Kupën e Turqisë.