Rey Manaj ishte shumë afër transferimit në sallonet e mëdha të futbollit italian gjatë merkatos së janarit, por gjithçka u bllokua në momentin e fundit.

Salernitana kërkoi shërbimet e sulmuesit shqiptar dhe ishte gati të finalizonte kalimin e tij në Serie A, por në fund marrëveshja u prish, pasi klubi i Sivassporit rriti pretendimet financiare.

Menaxheri i Manajt, Vincenzo Pisacane, në një intervistë për TMW komentoi situatën e 26-vjeçarit.

“Manaj praktikisht e kishte gjetur akordin me Salernitanën, por më pas Sivasspori pesëfishoi kërkesën fillestare dhe nuk mund të bëhej më fjalë për marrëveshje”, tha Pisacane.

Ish-sulmuesi i Interit është lideri i Sivassporit, që aspiron një biletë europiane këtë sezon. Deri më tani Manaj ka shënuar 15 gola mes kampionatit dhe Kupës së Turqisë.

Kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2026 dhe drejtuesit e klubit kërkojnë të përfitojnë sa më tepër nga shitja e sulmuesit shqiptar, teksa shpresojnë që ai të jetë pjesë e kombëtares në Europianin “Gjermani 2024”.

Së fundi foli menaxheri i ekipit, i cili u shpreh se Manaj do të thyej rekordin e transferimeve në klub.