Rey Manaj mbylli një sezon me shifra fantastike, 22 gola dhe 3 assiste, numra këto që bindën edhe Sylvinho-n për t’i dhuruar një ftesë për në “Euro2024”. Rikthimi i Manaj në nivele të larta ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave spanjolle, me “Mundo Deportivo” që i ka kushtuar një shkrim të veçantë, një lojtari që dikur zbarkoi me Spanjë si një premtim i madh, por më pas u “zhduk” nga futbolli i rëndësishëm: “Si një Feniks, sulmuesi shqiptar Rey Manaj është ngritur nga hiri dhe synon të bëhet një nga lojtarët më të spikatur të Shqipërisë për “Euro 2024”, i drejtuar nga një fytyrë e njohur për tifozët e Barcelonës, Sylvinho.

Nuk ka qenë aspak fushë me lule për sulmuesin, i cili madje kaloi 6 muaj pa ekip, pasi ndërpreu kontratën me Watfordin në kampionatit anglez, në shkurt 2023. Ai që ishte lojtar i Barcelonës B nga viti 2019 deri në verën 2021 diti të përfitonte nga “treni i fundit” që iu prezantua për të vazhduar në elitën evropiane.Në vitin e parë në ligën turke, ai ka arritur të përfundojë një sezon mbresëlënës, duke marrë parasysh numrin e golave të shënuar. Në fakt, Rey Manaj e ka përfunduar sezonin si golashënuesi i tretë më i mirë në elitën e futbollit turk, me 18 gola, pas dy golashënuesve të klasit botëror si Mauro Icardi (25 gola) dhe Edin Dzeko (21 gola).

Shifrat e sulmuesit shqiptar këtë sezon janë më inkurajueset: në 36 ndeshje që ka luajtur mes kampionatit dhe kupës, ai ka shënuar 22 gola (ka dhënë dhe 3 asiste). Pra, ka qenë thelbësore për Sivasspor, që skuadra e tij të përfundonte në vendin e shtatë në renditje. Puna e mirë si ‘9’ në Turqi i ka mundësuar Manajt të futet në listën e kombëtares shqiptare për Europianin e kësaj vere, rivalin e Spanjës në grupin B.Sulmuesi ishte në prag të një rekordi me ekipin e parë, në vitin e parë të Ronald Koeman si trajner aty, më 2021. Manaj përfundoi një sezon të mirë me Barcelonën B, çka nuk kaloi pa u vënë re nga trajneri holandez, i cili e rekrutoi atë për përgatitjet parasezonale. Për shkak të situatës së vështirë financiare të klubit, u spekulua rreth një promovimi të mundshëm të shqiptarit në ekipin e parë.

Me situatën e tij në harresë, sulmuesi përfundoi duke u larguar nga “Can Barça” në ditën e fundit të tregut të transferimeve për te Spezia, atëherë në Serinë A, si huazim. Performanca e tij ishte diskrete dhe përfundoi duke u kthyer në Barcelonë, më pas u largua si lojtar i lirë tek Watford.Në kampionat, ai gjithashtu nuk arriti të tregonte veten dhe një dëmtim në mes të sezonit çoi në ndërprerjen e kontratës me anglezët, me marrëveshje të përbashkët. Pas 6 muajsh pa ekip, verën e kaluar mbërriti si lojtar i lirë te Sivasspori. Tashmë, në moshën 27-vjeçare ka arritur ta rinisë karrierën e tij dhe të fitojë interesin e skuadrave nga Franca dhe Spanja. Në klubin e tij vlerësohet 15 milionë euro”, shkruan media spanjolle.