Korçë, 1 qershor 2014 – Rezart Taçi duket se i ka mbyllur me sukses telashet me privatizimet problematike të pasurive strategjike shqiptare si “ARMO” apo “ALBPETROLI”, duket se i ka kopsitur edhe telashet me banka të ndryshme, që i kanë nxjerrë në ankand pronat si borxhli i keq. Si kryetar i Federatës së Shahut ai ka organizuar një aktivitet shahistik në shëtitoren kryesore të Korçës. Aktiviteti në fjalë titullohet “Dita e shahut”.
Në këtë aktivitet të sponzorizuar nga zoti Taçi merrnin pjesë edhe dy durrsakë, dy shahistë të mëdhenj; i vetmi Mjeshtër i madh Ndërkombëtar i Shahut në Shqipëri, z. Erald Dervishi dhe shahisti veteran dhe Mjeshtër ndërkombëtar i shahut z. Fatos Muça, njëkohësisht eksponent i mirënjohur në PS-në e Durrësit.
Aktivitetin e nderonte me praninë e tij krahas kryebashkiakut korçar Sotiraq Filo edhe vetë zv/kryeministri i Shqipërisë, Niko Peleshi. Zoti Taçi bëri disa foto mjaft interesante me zv/Kryeministrin Peleshi, ndërsa Albanian Screen, stacion televiziv në pronësi të z.Taçi, i bëri një jehonë maksimale këtij aktiviteti.
Para qershorit 2013, z. Taçi, fotot e shumta me zj. Liri Berisha i ka përdorur rregullisht sa herë që ka pasur problem me doganat, tatimet, tenderat e ndryshëm, privatizimet apo edhe problemet gjyqësore si psh gjyqi për rrahjen e gazetarit Mero Baze etj. Do të ishte interesant fakti nëse z. Taçi fotot me zv/Kryeministrin Peleshi do t’i përdorë si fotot me Liri Berishën d.m.th. nëse do huazonim një term shahistik do të bënte një “rrokadë” të Lirisë me Nikon.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





