Rezervimi i orarit të kontrollit teknik të mjetit përmes portalit e-albania shkurton në mënyrë të ndjeshme kohën e pritjes së qytetarëve. Në këto raste, procedura kryhet brenda 30-35 minutash dhe evitohen radhët.
Kryetari i degës së Kontrollit Teknik në Durrës, Eduart Xhepa, bën për të ditur se pavarësisht udhëzimeve, vetëm 1/3 e qytetarëve rezervojnë fillimisht orarin dhe më pas paraqiten fizikisht pranë kësaj drejtorie.
Fundi i muajit gusht ka reduktuar ndjeshëm numrin e mjeteve që i nënshtrohen kontrollit teknik dhe për pasojë qytetarët janë mjaft të kënaqur nga shërbimi i ofruar.
Sipas Xhepës, në javët e mbingarkesës në punë, stafi ka punuar me orar të zgjatur për t’i ofruar shërbimin e duhur çdo qytetari.
Çertifikata e re e Kontrollit Teknik, një shërbim që sapo ka hyrë në përdorim, po nxjerr në pah të gjitha ndërhyrjet abuzive me kilometrazhin. Xhepa sqaron se çertifikata e re u vjen në ndihmë qytetarëve për të pasur një historik të plotë të mjetit të tyre dhe për të garantuar një shitblerje të sigurt mjetesh.
Qendra e kontrollit teknik në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Durrës do të rikonstruktohet tërësisht, duke ofruar mjedise më komode dhe shërbime më cilësore.
Një vit më parë, pranë kësaj drejtorie u kryen rreth 357 mijë shërbime fizike. Rikonstruksioni i plotë i saj pritet të përfundojë brenda pranverës së vitit të ardhshëm.
M.B.





