Mbajtja nën kontroll e rezervuarëve në qarkun e Durrësit ka bërë që pavarësisht reshjeve me intensitet që kanë rënë përgjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit, të mos regjistrohen përmbytje. Fatmirësisht lumi Erzen, ndër me problematikët, këtë vit nuk ka dalë nga shtrati dhe kjo për faktin se autoritetet përgjegjëse kanë mbajtur në nivel të ulët rezervuarët.

Bëhet fjalë për rreth 45 rezervuarë në qarkun e Durrësit, të cilët janë aktualisht në kuota normale. Gjatë një prononcimi për “DurrësLajm”, shefi i Emergjencave Civile, Artur Lekbello, tha se fatmirësisht këtë dimër nuk kemi pasur asnjë problem serioz me përmbytjet, ndërsa thekson se rezervuarët po mbahen nën kontroll që nga stina e verës. Lekbello thotë se rezervuarët janë shkarkuar gradualisht me qëllim të mos bëhen të kërcënueshëm përgjatë stinës së dimrit. 

Sipas Lekbellos, problem mbeten digat e këtyre rezervuareve të cilat po degradojnë dita-ditës dhe problem mbetet rezervuari i Tapizës në Krujë.

Qarku i Durrësit ka më shumë se 45 rezervuarë në total për të cilat nevojitet një fond mjaft i madh për t’i mbajtur në kushte teknike të përshtatshme.