Një grup specialistësh të sektorit Ujësjellës-Kanalizime kanë parë nga afër gjendjen e rezervuarit të Manskurisë, digës së tij dhe impiantit të përpunimit të ujit. Ky rezervuar ka shërbyer si burim për furnizimin me ujë të pijshëm për qytetin e Kavajës dhe zonën e saj turistike, Qerret, Mali i Robit, Golem dhe Shkëmbi i Kavajës. Për shkak të dëmtimit të trupit të digës së këtij rezervuari në vitin 2015, ai nuk është shfrytëzuar me me kapacitet të plotë për furnizimin e ujit të pijshëm dhe si rrjedhojë impianti është degraduar dhe është bërë i pashfrytëzueshëm. 

Kryetari i Komitetit të Lartë të Digave Arjan Jovani, nëndrejtori i AKUM Flauers Shoshi dhe administratori i SHRUKD Spartak Kovaçi, kanë diskutuar rreth ndërhyrjeve që mund të realizohen në këtë vepër. Kjo digë ka qenë dy herë e rrezikuar në 15 vitet e fundit, gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit kur intensiteti i reshjeve të shiut ka qenë shumë i lartë. Diskutimi është përqendruar në dy pika: Shfrytëzimi i këtij burimi dhe vënia në punë e impiantit të përpunimit për furnizimin e zonës së mësipërme me ujë dhe rritjen e sigurisë së digës.

Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës që nga 1 janari i këtij viti po verifikon gjendjen fizike të veprave dhe burimeve që shërbejnë për furnizimin e gjithë zonës së shërbimit me ujë të pijshëm, pjesë së së cilës janë tashmë edhe Rrogozhina, Kavaja dhe Kruja.