TIRANE, 20 shkurt 2013 – Komisioni i Jashtëm ka nisur sot shqyrtimin e rezolutës çame. Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ftoi anëtarët e komisionit të japin drejtësi për çështjen çame. 

“Rezoluta moment historik, ju ftoj të bëhemi pjesë e një akti të mohuar të drejtësisë. Debati për rezolutën duhet të jetë pjesë e të gjitha institucioneve. Ne nuk mund të bëjmë strucin para një problemi kaq të madh. Asnjë paqe nuk ngrihet mbi padrejtësinë historike”-, tha Idrizi. 

Shqyrtimi i saj ne komision vjen, pasi më 22 janar kjo rezolute u fut ne agjendën e Komisionit Parlamentar të Jashtëm, ku janë përzgjedhur edhe dy relatorët e draftit Qemal Minxhozi nga Partia Socialiste dhe Fatbardh Kadilli nga Partia Demokratike. 

Rezoluta çame kërkon që në përputhje me neni 15 të Traktatit të miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë mes dy vendeve tona, dhe nenit 1 të Protokollit shtesë të KEDNJ-së, të hiqen pengesat që nuk lejojnë gëzimin e lirë të të drejtës së pronës dhe të drejtave të tjera për qytetarët shqiptarë çamë.