TIRANË, 10 prill 2013- Komisioni i Jashtëm nisi sot rreth orës 11:30 diskutimet për projektrezolutën për çështjen çame, e propozuar nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Mbledhja është shoqëruar me debate, pasi kryetari i këtij komisioni Fatos Beja i surprizoi të gjithë, duke rikthyer për rishikim rezolutën çame të vitit 2004, që sipas tij është miratuar në Parlament me votat e PD-së, por që nuk është regjistruar në fletoren zyrtare.
Nga ana e tij ish-kryetari i Kuvendit në atë kohë, Servet Pëllumbi deklaron se rezoluta nuk është miratuar, pasi në të kundërt do ishte pasqyruar në fletoren zyrtare.
Kreu i PDIU-së Idrizi është shprehur i befasuar kur është njohur me propozimin e rezolutës së vitit 2004. Sipas tij duhet hetuar për këtë rast, pasi situata është e paprecedentë.
“Ne dimë që kjo rezolutë është rrëzuar në atë vit. Po të ishte miratuar do dilte në fletoren zyrtare", tha ai.
Më tej, kryetari Beja ka deklaruar se nuk duhet bërë një rivotim për pr/rezolutën por një rregullim në procesverbal. Duke iu referuar tabelës së votimit, Beja tha se rezoluta ka marrë 53 vota pro, 4 kundër dhe 44 abstenim dhe në këto kushte parlementi nuk mund të miratojë një rezolutë të re.
“Një gjë e tillë është votuar një herë, nuk votohet për së dyti”.
Ndërsa Dashamir Tahiri i PDIU-së ka fajësuar më pas kreun e Parlamentit të asaj kohe Servet Pëllumbin.
“Pëllumbi duhet t’i paraqitet drejtësisë ka falsifikuar dokumente”, tha ai.
Ish kreu i Kuvendit Servet Pëllumbi, në një reagim televiziv ka deklaruar se nuk ka asnjë brengë në ndergjegje lidhur me këtë problem.
“Jam i hapur për çdo hetim lidhur me këtë çështje. Nëse do të ishte miratuar rezoluta atëherë ajo do të ishte botuar në fletoren zyrtare. Miratimi ose jo i rezolutës mund të vërtetohet në arkivat e Kuvendit. Nuk kam asnjë brengë në ndërgjegje”- tha thënë Pëllumbi.
Në shqyrtim është marrë sot edhe pr/rezoluta e propozuar nga Partia Socialiste, e cili sipas Idrizit duhet të unifikohet me propozimin e tyre, pasi është pozitiv. Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka deklaruar se është e nevojshme një, ‘pr/rezolutë konsensuale dhe e përbashkët”.
Por në kushtet kur ekziston një votim i parlementit për këtë cëshje, komisioni vendosi të verifikojë botimin dhe më pas të mblidhet për të gjetur një zgjidhje, ku pritet të marrë një vendim edhe për rezolutën e propozuar nga PS.





