Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shtyu sërish të mërkurën votimin për një rezolutë të re që synon të mundësojë shtimin e dërgesave me ndihma për banorët në Rripin e Gazës.
Ndërkohë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e bëri të qartë se ofensiva ushtarake do të vazhdojë deri në shkatërrimin e Hamasit, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për operacionin e Izraelit.
Votimi për një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të ndihmonte në shtimin e dërgesave me ndihma në Rripin e Gazës, është shtyrë sërish.
“Besoj se palët që kanë dorë në këtë dokument po angazhohen në nivelet më të larta diplomatike në përpilimin e një rezolute që do të kishte ndikim në terren. Diplomacia merr kohë”, thotë Lana Nusseibeh, përfaqësuese e përhershme e Emirateve të Bashkuara Arabe në OKB.
Shtetet e Bashkuara kanë përdorur të drejtën e vetos ndaj dy rezolutave të mëparshme që bënin thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar, për shkak të shqetësimeve se kjo do të mundësonte riorganizimin e Hamasit.
Militanatët e këtij grupi kryen një sulm të befasishëm terrorist kundër Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1200 persona dhe duke marrë peng më shumë se 240 shtetas izraelitë dhe të huaj.
“Po dëgjojmë shumë vende që po kërkojnë përfundimin e këtij konflikti, gjë që të gjithë do të donim ta shihnim. Por nuk po dëgjoj pothuajse askënd të kërkojë që Hamasi të mos fshihet pas civilëve, të dorëzojë armët, të dorëzohet. Kjo përfundon nesër nëse Hamasi e bën këtë”, thotë Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.
Por, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua se luftimet nuk do të ndalen deri në realizimin e objektivave ushtarake të vendit të tij.
“Shfarosja e Hamasit, lirimi i pengjeve tona dhe largimi i kërcinimit nga Gaza. Të gjithë terroristët e Hamasit, nga i pari tek i fundit, janë njerëz të vdekur. Ata kanë vetëm dy mundësi, të dorëzohen, ose të vdesin”, tha ai.
Megjithatë, qeveria e zotit Netanyahu po përballet me trysni në rritje nga familjarët e mbi 100 pengjeve, për arritjen e një marrëveshjeje të re me Hamasin dhe kthimin e tyre në shtëpi. Grupi militant ka vendosur kushte për lirimin e më shumë pengjeve, duke përfshirë fundin e menjëhershëm të luftës. Deri tani, arritja e një armëpushim përmes negociatave duket e vështirë./ VOA