Kuvendi do të mbajë një seancë të Posaçme më 12 tetor, për të diskutuar ngjarjet e ndodhura në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist të 24 Shtatorit në Banjskë ku humbi jetën polici shqiptar, Afrim Bunjaku dhe u plagosën 2 të tjerë.
Vendimi u mor ditën e sotme në mbledhjen e Konferencës të kryetareve.
PS ka propozuar një rezolutë ku shpreh shqetësimi për situatën e krijuar pas sulmit ushtarak të një njësie terroristësh serbë. Rezoluta shpreh mbështetje për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, por edhe paqen dhe sigurinë në rajon.
Mes të tjerash në rezolutë thuhet se Serbia duhet të heqë dorë nga veprimet armiqësore e luftënxitëse ndaj Kosovës dhe të hapë një hetim serioz ndaj të gjithë organizatorëve.
Ndërkaq edhe PD, përmes kreut të grupit parlamentar të saj ka propozuar një tjetër rezolutë për ngjarjet në Veri.