Partitë politike në pushtet duan që me rezolutë të posaçme të bëjnë të qartë, se vetëm Kuvendi i Kosovës mund të ratifikojë marrëveshjet me Serbinë. Në rezolutë nuk përmendet roli i presidentit.
Partitë politike në pushtet përmes një rezolute, të cilën synojnë ta miratojnë në parlament, duan që të hartojnë një platformë të përbashkët lidhur me dialogun me Serbinë. Në këtë rezolutë nuk përmendet askund Presidenti i Kosovës, i cili në këtë fazë i vetëm po dialogon me Serbinë dhe disa herë ka takuar së fundmi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Të shtunën kryetari i kuvendit Kadri Veseli, takoi kryeministrin Haradinaj dhe zëvëndësit e tij, Enver Hoxhaj, Dardan Gashi dhe Fatmir Limaj. Ky i fundit nga qeveria më herët është propozuar që të udhëheq delegacionin e Kosovës në dialog me Serbinë. Një draft rezolutë e hartuar nga partitë në pushtet, pas takimeve të së shtunës, doli në medie, ku thuhet se "Kuvendi i Republikës së Kosovës insiston që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht obligative, përmes së cilës do të ndodhë njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë".
Fjala e fundit Kuvendit të Kosovës
Rezoluta përmban gjashtë pika, ku në fund thuhet se "Kuvendi i Republikës së Kosovës është autoriteti suprem, i cili do të ratifikojë marrëveshjen ligjore ndërkombëtarisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kuvendi i Kosovës me votat e dy të tretave të deputetëve, ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje: Territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake".
Pa përfunduar takimet dhe pa u zyrtarizuar zyrtarizuar akoma rezoluta e partive në pushtet, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për medie, ftoi partitë politike ato në pushtet dhe opozitë, që të miratojnë një platformë të përbashkët për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. "Ftoj të gjitha partitë politike kosovare të pozitës dhe opozitës të bashkohen rreth një platforme, një qëllimi, të miratojnë një platformë të përbashkët dhe të marrin pjesë të gjithë pa dallim në këtë proces. Interesi i përbashkët i Kosovës mbrohet dhe avancohet vetëm me pjesëmarrje të përgjegjshme, konstruktive në procesin e dialogut në Bruksel dhe jo duke tentuar që të minojnë përpjekjet për të arritur marrëveshje paqësore Kosovë-Serbi ligjërisht të obligueshme në rrafshin ndërkombëtar, por edhe që nënkupton njohjen reciproke", tha Presidenti Thaçi.
Nuk do të ketë kufij në vija etnike
Kjo marrëveshje, sipas Presidentit, Kosovës i hap rrugë të sigurt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizatën e Kombeve të Bashkuara. Presidenti Thaçi megjithatë vazhdon të këmbëngulë në idenë e tij për korrigjim kufiri me Serbinë, duke përjashtuar kështu mundësinë e vendosjes së kufijve njëetnik."Në çdo angazhim që do të kemi do të punojmë që të ruhet shpirti, substanca dhe realiteti multietnik i Kosovës. Nuk do të ketë kufij në vija etnike. Natyrisht unë kam dhënë njërën nga idetë që në kuadër të marrëveshjes përfundimtare të përfshihet edhe korrigjimi i kufirit, ku do të integrohet Presheva, Medvegja dhe Bujanoci. Prandaj, vlerësoj se është e realizueshme", tha Presidenti.
Rezoluta e partive në pushtet, akoma pa marrë formë finale dhe pa u proceduar për diskutim dhe miratim në kuvend, u kundërshtua nga partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se "nuk e përkrahin rezolutën e propozuar nga Qeveria e Kosovës". "Rreth kësaj draft-rozulute që po qarkullon, forumet e partisë dhe kryesia do ta analizojnë, por nga ajo që e kemi parë nuk ka ndonjë ndryshim nga ajo e mëhershme, është e njëjta gjë, kështu që nuk e besoj dhe nuk e shoh asnjë arsye që ta përkrahim", është shprehur Ismet Beqiri. Partitë opozitare më herët kanë hartuar një rezolutë, me të cilën tentonin që t’ia ndalojnë Presidentit të flasë për kufijtë e Kosovës, mirëpo, kjo rezolutë nuk ka mundur as të procedohet për miratim në kuvend.
Shqetësimet e Junckerit
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog që nga viti 2011 në përpjekje për të përmirësuar marrrëdhëniet mes tyre, kusht ky i domosdoshëm i vënë nga Bashkimi Evropian që të dyja vendet, por edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të integrohen, përkatësisht të anëtarësohen në BE. Bashkimi Evropian duhet t’i hapë perspektivë të qartë Ballkanit Perëndimor, në të kundërtën "historia e dhimbshme mund të përsëritet në këtë pjesë të Evropës". Kështu deklaroi Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, gjatë një fjalimi në parlamentin e Austrisë. Juncker tha se "ka rrezik që një konflikt i ri ushtarak të ndodhë në Ballkan, nëse shtetet e rajonit nuk përfshihen në perspektivën evropiane".
“Nëse një rajon kaq i komplikuar evropian fiton një përshtypje se nuk jemi serioz me perspektivën evropiane, do ta përjetojmë, më herët ose më vonë, atë që ndodhi në Ballkan gjatë viteve 1990”, tha Jean Claude Juncker, duke shtuar se “historia e viteve 90-të në Ballkan ende nuk është tejkaluar”. Deklarata e Presidentit të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, e ka shqetësuar Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai tha, se "deklarata të tilla nuk duhet nënvlerësuar, pasi vijnë nga një politikan mjaft serioz siç është Juncker". "Është një paralajmërim shumë i fortë që vjen nga presidenti i KE-së, Juncker, se Ballkani mund të jetë në një gjendje të njëjtë sikurse në vitet e 90-ta, nëse i refuzohet perspektiva e integrimit në BE", tha Aleksandër Vuçiç. /DW