DURRES, 7 qershor 2013 – Prej më shumë se një jave rezonanca magnetike në Spitalin Rajonal të Durrësit është jashtë funksionit.
Drejtori i spitalit Taulant Baku, shpjegon se shkak për mosfunksionimin e rezonacës është bërë ulja e nivelit të heliumit, çka bën që aparatura të mos ndizet.
"Rezonanca magnetike, nuk funksion që prej një jave për shkak të një defekti teknik. Kësaj aparature i është ulur niveli i heliumit, si pasojë e së cilës nuk mund të ndizet. Jemi në kontakte me ministrinë e Shëndetësisë, për blerjen e saj dhe shpresojmë që problemi të zgjidhet sa më shpejt me qëllim vënien në funksion të aparaturës", thotë drejtori i Spitalit Rajonal Durrës Taulant Baku.
Ndërkaq, Baku sqaron se në mungesë të rezonancës, nga ana e personelit të spitalit, pacientët të cilët kanë nevojë emergjente për kryerjen e rezonacës, po orientohen drejt skanerit.
Drejtori sqaron se janë në pritje që rezonanca të kthehet në funksion sa më shpejt, pasi ky aparat mbetet mjaft i domosdoshme për shumë pacient.
Por, deri në pritje të zgjidhjes së problemit, pacientët janë ata që pësojnë, pasi duhet të presin, apo domosdo të drejtohen në klinikat private për të marrë shërbimin e kërkuar.
Rezonanca magnetike është vënë në funksion prej më shumë se një viti në spitalin Rajonal të Durrësit.
Kjo pajisje ofron një shërbim të lartë të teknologjisë në dobi të pacientit.
Ministria e Shëndetësisë ka investuar në total 6 milion euro për pajisjen e disa spitaleve rajonale me këto aparatura, pjesë e së cilës është bërë dhe spitali i Durrësit.
Nga ky shërbim përfitojnë personat e siguruar, të cilët pas marrjes se rekomandimit të mjekut të familjes, paguajnë vetëm 10 për qind të vlerës së rezonacës, thënë ndryshe vetëm 1250 leke të reja.
Ndërkaq, përsa i përket personave që nuk janë të përfshirë në këtë skemë, do të duhet të paguajnë në vlerën e plotë.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





