Janë publikuar rezultatet e Exit-pollit të realizuar nga Klan Kosova.
Sipas rezultateve, koalicioni mes Partisë Demokratike, Nisma-s dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 40 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje 30 për qind, ndërsa koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me AKR-në e Pacollit dhe Alternativën 24 për qind të votave.
Partia Demokratike nxitoi të shpallte fitoren në një konferencë për shtyp, ku tha se Ramush Haradinaj është kryeministri i ri i Kosovës dhe më vonë do të ketë festime në Sheshin “Skënderbej”, në Prishtinë.
Në një prononcim për mediat, Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje, i lumtur tha se në Kosovë asgjë s’mund të bëhet pa VV-në dhe se rezultati për ta ishte spektakolar.
Maliqi tha se në Exit-poll janë pyetur rreth 2500 persona, 90 prej të cilëve nuk janë përgjigjur.
Sa u përket rezultateve, ai tha se “ u përket të pyeturve se sa me sinqeritet janë përgjigjur lidhur me kë kanë votuar.”
Maliqi tha se marzhi i gabimit mund të jetë 1-1.5 për qind.
Rezultatet e Exit-pollit nuk janë zyrtare. Votimi ka përfunduar në orën 17:00 dhe ka nisur numërimi i votave, teksa priten rezultatet që do të publikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas projeksionit të Exit-pollit, rritjen më të madhe në elektorat e ka shënuar Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa LDK-ja e Isa Mustafës është humbësja e madhe.