Pas publikimit të rezultateve të raportit PISA sociologu Ergys Mërtiri ka komentuar duke theksuar se nxënësit në Shqipëri kanë njohuri shumë të dobëta të përgjithshme.

Mërtiri tha se kjo vjen si rezultat pasi në fokus të shkollave nuk janë fëmijët dhe mësuesit.

Ai tha gjithashtu se në vendin tonë u kushtohet më shumë rëndësi festave dhe organizimeve të ndryshme të cilat shpesh nuk kanë asnjë lidhje me nxënësit dhe përmendi këtu faktin se në shkollat 9-vjeçare bëhen orë të shkurtra për festa si Halloween dhe Shën Valentini.

“Shkollat nuk kanë në fokus fëmijët dhe mësuesit, mësuesit si instrumenti me të cilin ti edukon fëmijën. Nuk ka një studim, po të pyesësh të gjithë elementët, janë të shkëputur nga njëra-tjetra nuk janë të integruara.Vetë shkolla nuk ka fokus.

Unë kam parë që mësuesit organizojnë për Halloween, ekskursion apo party me nxënësit apo bëjnë orë të shkurtuara për Halloëeen apo për Shën Valentin. Fëmijët në 9-vjeçare, ça po i përcjellë?

Kur shkolla të kultivon festimin e kungujve, sigurisht që kunguj do prodhojë dhe do reflektohet te PISA kungullizimi i sistemit arsimor shqiptar”, -tha Ergys Mërtiri.