Në Durrës mendojnë për janarin, rrezikon edhe Dobi Teuta u mund këtë javë në shtëpi nga Egnatia me rezultatin e ngushtë 0-1, në një ndeshje ku në fakt bregdetarët u shprehën mirë e madje edhe shënuar, por goli i tyre u anulua e pak minuta më vonë, miqtë kaluan në avantazh. Kjo humbje solli pakënaqësi në kampin blu, aty ku trajneri Enkeleid Dobi foli pas ndeshjes duke shprehur edhe irritim për gjykimin. Situata nuk duket e qetë pas kësaj humbjeje duke qenë se Teuta e sheh tashmë veten duke u larguar nga zona e Final 4, megjithëse pak javë më parë kishte arritur të renditej në vendin e katërt. Kështu, në janar pritet që të ketë ndryshime në skuadër dhe nuk është çudi, që të ketë lëvizje edhe në stol pasi rezultatet e fundit kanë zhgënjyer.

Në 5 ndeshjet e fundit Teuta nuk ka fituar asnjë prej tyre dhe ka barazuar në 4 e është mundur në të fundit. Këto rezultate kanë sjellë edhe shkëputjen e skuadrave të para, me Teutën që e sheh tashmë veten 5 pikë larg Vllaznisë së vendit të katërt. Kështu, në ditët e para të janarit, pritet të ketë zhvillime në kampin durrsak dhe pritet edhe vendimi për trajnerin Dobi, nëse do t’i besohet sërish, apo do të ketë ndryshim në stol çka mund të sjellë edhe ndryshime në skuadër pasi merkatoja e janarit është afër.