Në reagimin e parë pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, kryeministri në detyrë njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i është drejtuar sot qytetarëve të Kosovës përmes një deklarate në Facebook.
Sipas Mustafës, qytetarët kanë dhënë vendimin përmes zërit të kundërshtimit.
Mustafa ka theksuar se partia e tij, e cila për herë të parë ka dalë e treta në zgjedhje, pas certifikimit të rezultateve do të reflektojë mbi këto rezultate.
Postimi i Mustafës:
Ju e dhatë vendimin tuaj në këto zgjedhje. Mbi të gjitha mbizotëroi zëri i kundërshtimit. LDK në ditët në vijim do të analizojë dhe vlerësojë rezultatet e zgjedhjeve dhe do të reflektojmë në interes të anëtarësisë dhe të qytetarëve. Vendimin do ta marrim edhe me deputetët pas certifikimit të rezultateve si dhe me partnerët e koalicionit. Falënderoj të gjithë ata që ia dhanë besimin koalicionit tonë dhe kandidatit për Kryeministër, prof, Avdullah Hotit, i cili bëri një fushatë dinjitoze në të gjitha fushat. IM