Ashtu siç njoftoi një ditë më parë “DurrësLajm”, sot është hapur aplikimi për qytetarët që deri më tani nuk kanë mundur të përfitojnë grantin e dëmshpërblimit për dëmtimin e banesave të tyre në shkallën DS1, DS2 dhe DS3.
Mëngjesin e kësaj të premteje, qytetarë të shumtë janë paraqitur tek ish-zyrat e ALUIZNI-t me dokumentet e kërkuara për të kryer aplikimin, i cili do të qëndrojë i hapur vetëm për një ditë, për të përfituar grantin e dëmshpërblimit.
Duke qenë se kjo mundësi u ofrohet qytetarëve vetëm ditën e sotme, ato janë grumbulluar para Prefekturës në një kohë kur shifrat e të infektuarve me Covid-19 në Durrës vijojnë të jenë të larta. Situata paraqitet shqetësuese pasi siç duket edhe në video nuk po respektohet asnjë distancë sigurie.
Njësoj si në muajin korrik, kur u rihap për here të dytë për një javë procesi i aplikimit për qytetarët edhe këtë herë mungonte një njoftim zyrtar nga bashkia.
Gjatë këtyre muajve kanë qenë të shumtë qytetarët që janë ankuar se për arsye nga më të ndryshmet nuk kanë pasur mundësi të bënin aplikimin dhe për këtë shkak i kanë bërë apel qeverisë dhe bashkisë që ta hapte sërish procesin.
Deri më tani, në Durrës janë miratuar nga Këshilli Bashkiak emrat e 10700 familjeve përfituese të grantit, nga të cilat rreth 9800 e kanë tërhequr atë.





