22 dhjetor 2014 – Karabinierët e Piacencës ushtruan kontroll në banesën e Ilir Gani Miskut, i datëlindjes 5 dhjetor 1985, sepse dyshonin, që Iliri kishte shkelur vendimin e gjykatës për vuajtjen e dënimit me burgim shtëpie.
Ata nuk e gjetën Ilirin në banesë, por gjetën sasi të konsiderueshme eurosh të prerjeve të vogla e të mesme. Iliri ishte dënuar me 20 muaj burg për shpërndarje droge. Një pjesë të dënimit ai po e kryente me burgim shtëpie, por jo vetëm që kishte thyer këtë masë sigurie, por edhe vazhdonte “zanatin” e vjetër të shpërndarjes së drogës.
Karabinierët gjetën të fshehur në banesë edhe një pistoletë të markës Berreta kalibër 7,65mm me 2 karikatorë dhe 30 fishekë. Pistoleta rezultonte e vjedhur në tetor 2014 në qytetin e Aleksandrisë. Pas kësaj karabinierët e arrestuan Ilirin, ndonëse për 9 ditë mbaronte dënimin me burg. Ai u dërgua në Burgun e Piavencës me akuza:, armëmbajtje pa leje, mbajtje sendesh të vjedhura dhe shkelje të masës së sigurisë. Ai po hetohet edhe për drogë.
Ilir Misku ka pasur problem edhe me drejtësinë shqiptare. Ai është gjykuar për përdhunimin e së miturës E.B. në nëntor 2007 dhe Gjykata e Apelit Tiranë e ka cuar këtë cështje penale për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë në qershor 2012.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





