Ekskluzive e “Dyrrah”-ut/ Ylber Gjika, Endri Vrushaj dhe Eqerem Elezi më 17 qershor, me pagat në xhep, kanë udhëtuar drejt Parisit dhe prej andej në Stamboll, nga ku duhet të mbërrin sot më 18 qershor në Tiranë
Kapiteni Luan Sejko, tani është vetëm në bord, pasi pret ardhjen e ekuipazhit të ri
DURRËS, 18 qershor 2013 – Të hënën, më 17 qershor 2013, marinarët shqiptarë shkuan në zyrën e çështjeve detare për të kërkuar riatdhesimin të shoqëruar nga inspektorja e ITF-së (International Transport Workers’ Federation – Federata Ndërkombëtare e Punëtorëve të Transportit), Lorë Talono (Laure Tallonneau), njofton gazeta franceze “La Manche libre”.
Kështu, pas 12 ditësh pasiguri, ekuipazhi shqiptar, që bëri grevë në portin tregtar të Granvil-it (Granville), pasi nuk ishin paguar për gati tre muaj, u largua nga qyteti port, me rrogat në xhep, në drejtim të aeroportit të Parisit “Sharl dë Gol (Charles de Gaulle)”.
Të tre marinarët (Ylber Gjika, Endri Vrushaj, Eqerem Elezi) duhet të mbërrinin të martën, më 18 qershor, rreth orës 11 të mëngjesit, në Stamboll, dhe nga andej po me avion në Tiranë.
“La Manche libre” thotë se për 24-vjeçarin Endri Vrushaj, pjesëtari i ekuipazhit në moshën më të re, ky është fundi i punës në marinën tregtare: “Kur të kthehem, do të kërkoj punë tjetër”.
Ndërkaq kapiteni i anijes “River King”, Luan Sejko, tani është vetëm në bord, pasi pret ardhjen e katër marinarëve, që do të zëvendësojnë ata shqiptarë.
Info/
Për më se një muaji anija e mallrave “River King”, me ekuipazh durrsak, ndodhet e ndaluar në portin francez të Granvil-i (Granville) të Mansh-it në veri-perëndim të Francës, por u vendos që 4 shqiptarët të kthehen në atdhe, deri sa të vijë një ekuipazh tjetër.
“Dyrrah”-u, me t’u informuar nga mediet franceze, më 13 qershor, kontaktoi me kapitenin e anijes Luan Sejko dhe u informua për çka kishte ndodhur me një anije të ngarkuar me 900 tonë zhavorr.
“River King”-u, i prodhimit të vitit 1984, u arrestua nga autoritetet franceze për 15 mangësi teknike, duke mos e lejuar të prekë portet evropiane, ndonëse punonte transit në Evropën veriore, Francë-Mbretëri e Bashkuar.
“Pagat e prapambetura arrijnë në rreth 60 mijë dollarë”, tha inspektorja e ITF-së Lorë Talono, duke shtuar: “Madje, këto marinarë nuk kanë as kontratë pune”.
“Dyrrah”-u mësoi se katër durrsakëve (Luan Seiko, Ylber Gjika, Endri Vrushaj, Eqerem Elezi) u janë prerë bileta avioni për t’u kthyer në Shqipëri.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





