Humbja e fundit në shtëpi ka lënë shije të hidhur tek ekipi i Teutës. Megjithatë, trajneri Magani ka deklaruar shkurtimisht se kjo humbje duhet t’i shërbejë ekipit.“Humbja e pësuar në Durrës kundër Luftëtarit duhet t’i shërbejë ekipit si mësim për më tej. Ndeshje të tilla nuk duhet, por as që do të përsëriten më. I gjithë ekipi dështoi këtë javë. Fatmirësisht na kthehen futbollistë kryesorë në ekip, si Porgni dhe Çyrbja”, u shpreh trajneri i skuadrës durrsake.Ndërkohë sulmuesi fierak, Andi Ribaj, sqaron se nuk ka debatuar me trajnerin Magani rreth zëvendësimit, pasi është tekniku peqinas ai që vendos kush e nis takimin si titullar dhe kush zëvendësohet. Për sulmuesin, e rëndësishme është ecuria e ekipit dhe paraqitje si me Luftëtarin të mos përsëriten më.“Dua të sqaroj se nuk kam debatuar me Maganin sa i përket zëvendësimit, por bisedonim për disa raste. Është ai që komandon dhe vendos kush futet në lojë dhe kush e lë atë. Trajneri punon me të gjithë dhe e di formën e secilit prej nesh, edhe në rastet kur mund të dukemi mirë, ai gjykon duke parë çfarë japim në fushë. Kjo ndeshje ishte për t’u harruar dhe kështu do të bëjmë, por duke mësuar nga gabimet e bëra. Duhet të rikuperojmë që në ndeshjen e radhës”, u shpreh Ribaj.
Trajneri Magani do ta ketë më të plotë ekipin për Vllazninë, pasi rikthehen dy lojtarë të rëndësishëm, si Progni dhe Çyrbja, të cilët ishin të pezulluar ndaj Luftëtarit. Ndërkohë shtyhet rikthimi i mbrojtësit të djathtë, Beqaj, pasi nuk mund të jetë gati për këtë fundjavë.