Hungari, 27 korrik 2014 – Australiani i Red Bullit, Daniel Ricciardo, ka bërë mrekullinë në 3 xhirot e fundit të Çmimit të Madh të Hungarisë (Hungaroring), duke parakaluar ferraristin Fernando Alonso, e duke përfunduar në pozitën e parë në trillerin e vërtetë të kësaj gare fantastike, edhe pse ky pilot kishte kryer një ndalesë më shumë në bokse, se sa dy ndjekësit e tij.
Spanjolli i Ferrarit, Alonso, pati shpresa deri në fund për të fituar këtë garë, edhe pse në fillim të saj askush nuk do ta besonte diçka të tillë, dhe këtë e tregoi më së miri me rezistecën e fortë të treguar ndaj Ricciardos, sa kohë e kishte pas, por edhe ndaj dy pilotëve të Mercedesit Hamilton dhe Rosberg, mirëpo strategjia e gomave rezultoi perfekte për Ricciardon.
Një sukses i jashtëzakonshëm për Ferrarin, e veçanërisht për pilotin spanjoll, ky vend i dytë dhe kjo ngjitje në podium në Hungari, fakt që u vërtetua edhe nga falënderimet e bëra në komunikimet radiofonike mes drejtuesve të Ferrarit dhe spanjollit: pa të, ndoshta Ferrari nuk do ishte këtu ku u ngjit sot.
Britaniku Hamilton, edhe pse u nis nga vendi i fundit, zhvillon sërish një garë spektakolare, falë edhe avantazhit të jashtëzakonshëm që ka Mercedesi kundrejt makinave të tjera këtë sezon, duke e përfunduar garën në vendin e 3, në vendin e fundit të podiumit, e duke lënë pas shpine shokun e tij të skuadrës, Rosberg, për të cilin pati edhe një urdhër gjatë xhirove të fundit për t’i hapur krahun, urdhër ndaj të cilit britaniku nuk u bind.
Renditja e 10-shes së parë në Hungaroring është: Ricciardo, Alonso, Hamilton, Rosberg, Massa, Raikkonen, Vettel, Bottas, Vergne, Button. Në renditjën e përgjithshme të pilotëve kryeson Nico Rosberg me 202 pikë, i ndjekur nga Lewis Hamilton me 191 pikë, ndërsa pasojnë Daniel Riciardo me 131 pikë dhe Fernando Alonso me 115. Në konkurrencën e konstruktorëve këto pa diskutim i pari është Mercedes me 393 pikë, Red Bulls Racing –Renault 219, Ferrari 142 dhe Williams-Mercedes 135.
Gara e ardhshme zhvillohet në Belgjikë me 22 deri me 24 gusht.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





