Richard Grenell, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Donald Trump, ka përgënjeshtruar një akuzë të publikuar nga media e drejtuar nga Alfred Lela, drejtor i zyrës së shtypit të Partisë Demokratike. Në lajmin e përhapur, Grenell akuzohej si “lobist i padeklaruar” i kryeministrit Edi Rama, duke tentuar të përfshinte në axhendën e djalit të Trump, Donald Trump Jr., një ndalesë në Tiranë për një takim me Ramën.
Në realitet, djali i ish-presidentit amerikan kishte zhvilluar një vizitë në Beograd, ku u takua me Presidentin Aleksandar Vuçiç. Grenell reagoi ashpër në rrjetet sociale, duke shpërndarë artikullin dhe kërkuar publikisht përgënjeshtrimin e informacionit. Ai e quajti lajmin një “gënjeshtër totale” dhe kërkoi që të hiqej menjëherë nëse duhen respektuar faktet.
Deri tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Alfred Lela ose Partia Demokratike lidhur me deklaratat e Grenell. Postimi i Grenell është shpërndarë gjithashtu nga Donald Trump Jr. në profilin e tij zyrtar.