Nga BUJAR QESJA
Në ngarkesat e hiperbolave publiçistike, veçanërisht kur bie fjala për personazhet e detit, jemi dorëlëshuar. Figuracionet shkojnë në superlative të tilla si “ujku i detit”, “tarzani i ujit”, “peshkaqeni”, “gjigandi i detit” e ku di tjetër se çfarë mund të shtosh.
Por në rastin e Rifat Erzenit, po të thuash thjesht “njeriu i detit”, je në mirkuptim jo vetëm me të, por sigurisht edhe me lexuesin. Si një praktikë e pakëndëshme e kohës pas viteve 90-të, i kisha humbur lidhjet edhe me këtë njeri të jashtëzakonshëm në thjeshtësi, por shumë i mënçur, në atë që quhet fjala e zgjedhur e dalë nga mëndja e mprehtë.
Kam vrarë mokrrat e trurit, por se kam gjetur që lidhja me detin i skalit njerëzve të ujit, tipare që u japin madhështinë e qendresës ndaj dallgëve të stërmëdha dhe ujit të trazuar, që të shkul kapakun e kokës, por që tek Rifat Erzeni nuk lexohen, pasi është më shumë se i qetë. Por ky Erzen e ka marrë me sportivitet ujin, duke nisur që në hapat e para të frymëmarrjes. Ndonëse i lindur në Ndroq me 3 gusht 1950, familja e Ibrahim Erzenit u vendos në rrethinat e Shijakut. Përkimi mbetet origjinal, sikur e ke patur vetë në dorë për ta bërë këtë gjë. Mbiemri Erzeni u binjakëzua me lumin “Erzen”, që ecte vrullshëm në shtratin e tij, por që lagte edhe tokat në afërsi të shtëpisë të njeriut të mirë Ibrahim Erzeni.
Kur jeta e fillimit të punëve të mia, diku nga vitit 1975 më çoi të lidhem me klasën e paharruar punëtore të Durrësit, dëgjoja të lakohej jo rrallë emri Rifat Erzeni. Punonte në peshkim. Mezi pritja ta takoja. I dija fort mirë vështirësitë e profesionit të peshkatarit, aq sa dija gjithashtu që njerëzit e detit, kanë fizik të bëshëm, me muskuj të dalë nga shasia e trupit, disi si me fytyrë të gdhëndur nga dalta e furtunave.
47 vite më parë, diku në një ditë më bie rasti të takoj një mezo burrë, më flokë të lyer me kripën e detit, me fytyrë të sinqertë, me komunikim shumë më të ulur se e ngritura e zërit dhe shumë, shumë i urtë. Kur më tha që quhej Rifat Erzeni, befasia më ngacmoi duke më shoqëruar reagime instiktive.
-Kam dëgjuar të flitet shumë për ty, i them Rifatit. Në koshiencën time kisha ndërtuar portretin gjigand të peshkatarit, me fizik që të merr shpirtin dhe me gjatësi trupore për të kapur qiellin. Por ti qenke aq i ëmbël, aq i qetë dhe i shtruar, me fjalë që numërohen me pikatore dhe ke krijuar tjetër natyrë të këtij profesioni, i hershëm sa vetë krijimi i gjallesave ujore.
Qeshi me të madhe, duke dale mbase rrallë jashtë natyrës së tij. E që nga ajo ditë u bëmë miq, duke i trasmetuar respekt të ndërsjelltë njëri tjetrit. Kur ia njoha punën, çmova vlerat njerëzore. Këta njerëz të butë dhe të urtë, kanë veti që edhe detin e tërbuar ta bëjnë zap, duke ia ulur tmerrin e trazimit. I kisha humbur lidhjet pas 90-tës, për t’u takuar kur iu dha titulli “Nderi i Qytetit të Durrësit”. Njeriu i punës, i përkushtuar dhe pasionant, mbetet kurdoherë njëlloj, i njëjti në çdo kohë dhe në çdo rast.
Ajo që më gëzon është, se Rifat Erzeni mbeti rob i ujit, skllav i profesionit aq të dashur të peshkatarit, por me dimension të ri, të asaj që quhet ekonomia e tregut të lirë. Në “Agip” të Plazhit të Durrësit, diku në një vënd të dukshëm është lokali me emrin “Erzeni”, apo edhe ndryshe “ Rifat Peshkatari”. Ky lokal të duket si anije gjigande peshkimi, pasi në brendësi nuk i mungon asgjë për ta quajtur kështu. Rrjeta, spiranca, makete varkash, vela, imitimi i timonit dhe më duket sikur lundroj në anijen e madhe të jetës së këtij mjeshtri të peshkimit, me emrin më shumë se të njohur Rifat Erzeni.
Është kthyer në sirenë deti. Lokalin dhe shtëpinë i ka në një kulm, sikur për të thënë që deti ishte dhe mbeti deri në fund jeta i këtij mentari të ujit, që nuk e tradhëtoi qoftë edhe në një ditë të vetme. Kafeja shoqëruar me pak gram raki, më është dukur tek Rifat Peshkatari nga më të mirat në botë. Nuk po flitja, por po lundroja në detin e bisedës shumë të këndshme, që po zhvilloja me këtë peshkatar me emrin Rifat. Më kujtoi disa gjëra të jetës, që mbetet retrospektiva e biografisë së artë, të njeriu të punës dhe të përkushtimit.
Eh çfarë ka hequr lumi “Erzen” nga Erzeni njeri! I shkathët, i shpejtë sa rrjedha e ujit, filloi të zejë mëlush me metoda popullore. Peshku ngjitej në duart e Rifat Erzenit, i bindur dhe i dorëzuar nga magjia e tij. 15 vjeçar dhe rregjistrohet në anijen “Rozafa” me kapiten Telha Skënderin, duke pritur me padurim të zinte “viktimat” e rrjetës. Tentoi të largohej nga puna, por drejtori me histori të çmuar i peshkimit Llazar Alia e riktheu.
-Je i lindur për peshkim, djali i Ibrahim Erzenit. Je mirë këtu. Do të ndihmoj të mbarosh shkollën dhe pse jo një ditë të drejtosh edhe anije.
Kështu i foli Rifatit, i mënçuri Llazar Alia. Erzeni iu kthye peshkimit, pasi e ndjente se para rrjetës së peshkimit, kishte rënë në rrjetën e jetës së këtij profesioni. Deti do të kthehej për të, si një orkestër e madhe simfonike dhe ai nuk do të ishte as më shumë dhe as më pak, spala e kësaj orkestre. Mbaroi shkollën e peshkimit për kapiten, duke njohur mjaft mirë edhe artin e navigimit. Dy emra nuk do ti harronte: drejtuesin e shkollës Muç Kallogjerin dhe Ndoc Gjelucin, që njihte aq mirë artin e navigimit.
Peshkatari Rifat Erzeni, do të kthehej në kapiten Rifat Erzeni dhe mbiemri do t’i kujtonte gjithnjë, ato mëlushet që kapte në lumin “Erzen” me duart e njoma dhe të gjakosura. Duke folur për të tjerët, mendon edhe rrjetën e jetës së Rifat Erzenit. Jorgji Nako për Erzenin, mbetet legjendë e ndërtimit të anijeve të peshkimit. Bashkëpunoi me të, kur u ngarkua të jetë nga drejtuesit e anijes së famshme të fllotës së peshkimit “Taraboshi”.
Shumë punë, e akoma më shumë rriteshin detyrimet. Emri i mirë që u krijua po të mos nënshtronte lodhjen, pagjumësinë, punën shumë të vështirë të peshkimit, nuk do të krijohej dhe ky Rifat nuk do të ishte ky i sotmi. Ndonëse 73 vjeçar, kujton punën drejtuese të Harilla Danos, Xhemal Shanit, Zeqir Tagës, Vath Çollakut, Dashamir Shytit etj. duke i çmuar ato nga çfarë i dhanë peshkimit. Por lidhja me peshkatarët e thjeshtë, duke mbetur vetë njeri modest, ku çmonte dhe respektonte çdo njërin, mbeti e pandryshuar. Atëhere po se po, por edhe tani gjithashtu po se po.
Kur e caktuan të punoj me anijen “Shkenca”, 150 tonëshe dhe prodhim i kantjerit detar të Durrësit, ngren në qiell punën e jashtëzakonshme të motorristit Eqerem Bala. Por nuk harron edhe drejtorin fisnik Agron Fishta, lidhja me të cilin nxitej nga cilësia e prodhimit të anijeve, në interes të rritjes së kapacitetit të fllotës së peshkimit.
Edhe se qendrova një mëngjes 60 minuta me Rifat Erzenin, duke ndarë kënaqësinë e mëngjesit në njërën prej këtyre ditëve të fund dhjetorit, shokët dhe miqtë e tij mbeteshin peshkatarët. Por edhe të tjerë vinin me dëshirën e vetme, për t’u takuar dhe komunikuar me këtë mjeshtër të rrjetës së peshkimit. Por që më parë kishte rënë në rrjetën e jetës, që ia thuri deri në histori të nderit dhe krenarisë, rrjetën e artë të profesionit të peshkatarit.
-E gjithë jeta ime është deti, nget bisedën Rifat Erzeni. Peshkimi, anijet, njerëzit, shokët ato që nuk jetojnë i kujtoj gjithnjë, u lidha deri në fund. Së bashku bëmë gjëra të vlefshme. Punuam pastër, pa u përzier me asgjë tjetër. Ia dij për nder Llazar Alisë, që si prind m’u lut të mos iu ndaja detit. Dhe bëra mirë që ia dëgjova fjalën. Ndërtova shtëpi e katani dhe po e mbyll finalen e jetës me peshkun dhe rrjetën. Nuk ka më bukur! Nuk ka më mirë!
Ndërsa Rifati rrëfente pjesë të jetës dhe bënte bilancin e deritanishëm, mëndja ime u spostua duke kujtuar një nga ditët e vitit 1975, kur isha 24 vjeç e që njoha këtë njeri të çmuar. Kanë kaluar gjer atëhere 47-48 vite dhe Rifat Erzeni mbeti i njëjti, me atë dëshirë për punën si në fillim, me atë dashuri për njerëzit si në fillim.
Rifat Erzeni! Thuaj edhe këtë tjetrën po deshe: Rifat Peshkatari. Në një gjatësi vale qëndrojnë. Por ajo që vlen dhe kujtohet, është shembulli i artë i njeriut që rrjeta e peshkatarit mbeti e vetme, duke i thurur aq hijshëm edhe rrjetën e jetës.
Edhe më tej Rifat Erzeni, sigurinë e kam që do të mbetet ky i tanishmi. Dhe do të vi ta takoj kur të mundem. Dhe do të rrufisim përsëri kafenë dhe pak gram alkol. Do të ndjej erën e lehtë që vjen nga thellësia e ujit, simfoninë e përkryer të dallgëve të detit, ku joshja më e madhe i takon ngrohtësinë miqësore që të jep ky njeri i rrallë, i mbështjellur krenarisht nga rrjeta e jetës.
Dhe ky është Rifat Erzeni! Dhe ky është i mrekullueshmi ynë Rifat Peshkatari!
Bujar Qesja
Durrës: 23 dhjetor 2022
Në pamje djathtas: Rifat Erzeni dhe Bujar Qesja.