Pas vitesh të tëra i mbuluar nga ujërat e zeza, mozaiku i Meandrit ka dalë edhe njëherë tjetër në dritë.

Kompania që ka marrë përsipër riforcimin e pallatit shumë katësh në lagjen nr.11, ka punuar me shumë kujdes për të larguar ujërat e zeza, që e mbulonin atë prej vitesh.

“Në gjendjen fillestare këtu ka qenë 60 cm ujë dhe plot me fekale. Për dy javë rresht kemi punuar me 2 turne, për ta çuar në gjendjen siç është tani”, tregon për “DurrësLajm”, Leonard Kalia, drejtues punimesh.

Pas largimit të ujërave të zeza dhe dezinfektimit të katit nëntokë, mozaikun e kanë inspektuar përfaqësues të instancave shtetërore.

“Kanë qenë këtu supervizori, kolaudatori, bashkia për ta parë. Përsa i përket projektit, ne punuam me kujdes që mos ta preknim mozaikun.”– thotë Redi Vila, inxhinieri i kompanisë së ndërtimit “Valona Konstruksion”, që po riforcon pallatin me dëmtime të shkallës DS4.

Por a është shpëtuar tashmë mozaiku i Meandrit? Kjo gjë nuk mund të thuhet përsa kohë në pallatin ngjitur me të, kati nëntokë është i përmbytur nga ujërat e zeza.

Për drejtuesin e punimeve, Leonard Kalia, rreziku që i kanoset mozaikut është mjaft evident.

“Këtu ka prurje çdo ditë, sa herë bie shi këtu përmbytet dhe niveli i ujit shkon 60 cm. Këtu mblidhen dhe ujërat e zeza të të gjitha pallateve përreth. Kur të largohemi ne, këtu prapë çdo gjë mbulohet nga uji.”

Një ditë më parë, kryebashkiakja Emiriana Sako, përmes një statusi në rrjete sociale, kërkoi zhvendosjen e këtij mozaiku drejt Muzeut Arkeologjik të Durrësit.

Përfaqësuesit e kompanisë që po kryen riforcimin e pallatit nënvizojnë si emergjente gjetjen e një zgjidhje konkrete, pasi në të kundërt ky aset i trashëgimisë kulturore rrezikon të humbasë sërish.

Mozaiku i Meandrit, i zbuluar në vitin 2006, është i punuar në teknikën bardhezi dhe i përket shekullit të I të erës sonë. Ai ka në brendësi simbolin e Meandrit ose të diellit në lëvizje. Në vitin 2015, ai mori statusin Monument Kulture, i kategorisë së parë, por vetëm për pak kohë ai ka mundur të ishte i vizitueshëm, sepse shumë shpejt u mbulua nga ujërat e zeza dhe mbeturinat.

Mozaiku ka formën e kryqit të thyer apo e njohur ndryshe si svastika dhe pjesë të këtij simboli mitologjik janë dhe shenjat e rrufeve.

M.B.