Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ka inspektuar ditën e sotme punimet për riforcimin e pallatit “Pranvera” në lagjen nr. 11 në Durrës, i cili u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe është vlerësuar me shkallë dëmi DS4.

Përmes një postimi në “Facebook”, Sako shkruan se pas rikonstruksionit të pallatit, familjarët do të kthehen në banesat e tyre më të sigurta.

Kryebashkiakja shton se procesi i riforcimit të pallateve po vijon me ritme të mira dhe se aktualisht po punohet për riforcimin e 13 pallateve me shkallë dëmi DS4 në qytetin e Durrësit.

POSTIMI I SAKOS:

Duke inspektuar punimet për riforcimin e pallatit  “Pranvera” në lagjen 11 , me shkallë dëmi DS4. 

Rikonstruksioni i këtij pallati do të bëjë të mundur rikthimin në banesa më të sigurta se më parë të familjeve të këtij objekti. Riforcimi i këtyre godinave që është pjesa më komplekse e procesit të rindërtimit, po vijon me ritme të mira dhe aktualisht po punohet për riforcimin e 13 pallateve me shkallë dëmi DS4.

Puna do të vijojë me rehabilitimin e të tjera godinave me financimet e qeverisë shqiptare.