Rigerta Loku nuk kishte marrë vëmendje publikisht më parë, deri pas fjalimit që mbajti në Kuvendin e Shqipërisë e që përloti të gjithë të pranishmit, përfshi edhe ambasadorët që ishin të ftuar në seancë.
Por para këtij fjalimi, ku Rigerta, vajza nga Mirdita e rikthyer në vendlindje pas studimeve në La Sapienza, shpalosi fshatin dhe vështirësitë e njerëzve atje, ajo ka tentuar disa herë t’i futet politikës.
Në vitin 2013 ka qenë kandidate për deputete e Frymës së Re Demokratike të Bamir Topi, në qarkun e Lezhës ku nuk mundi të garantojë votat e nevojshme për tu ulur në karrigen ë ligjvënësve shqiptarë që përmes fjalimit të saj i kërkonte llogari.
E po ashtu, një video tjetër e panjohur e saj është publikuar dhe mban datën 3 tetor 2016.
Ajo ka marrë pjesë në një aktivitet të Partisë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës ku njësoj si në parlament ajo flet për fshatin, për nevojat për rrugë dhe ujë dhe përlotet.
Sërish rrëmben duartrokitjet dhe britmat e të pranishmëve.
Se sa reale duket ajo apo sa aktrim, këtë lëmë ta gjykojë gjithsecili duke bërë një krahasim të dy fjalimeve, në Kuvend të shtunën, dhe në aktivitetin politik të një viti më parë.





