“Kur Robyn Fenty, e njohur në botë si Rihanna, nisi “Fenty Beauty” në vitin 2017, kërkoi që të krijonte një kompani kozmetike që “gratë kudo të ndiheshin të përfshira”.”
Kështu e nis artikullin “Forbes” për të dhënë lajmin se Rihanna është zyrtarisht miliardere!
Në artikull shkruhet se artistja 33-vjeçare ka një pasuri prej 1.7 miliardë dollarësh, duke e bërë muzikanten femër më të pasur në botë dhe e dyta pas Oprah Winfrey, si artistja më e pasur femër në botën e show-t.
Pjesa më e madhe e pasurisë së saj, rreth 1.4 miliardë dollarë vjen pikërisht nga kompania “Fenty Beauty”, ku Rihanna zotëron 50% të aksioneve të saj.
Ndërsa pjesa tjetër e pasurisë vjen nga aksionet në kompaninë e të brendshmeve, “Savage X Fenty”, me vlerë prej rreth 270 milionë dollarë. Gjithashtu nuk mungojnë as fitimet nga karriera e saj si muzikante dhe aktore.
Por teksa në botën e biznesit po ecën mjaft mire, në atë të muzikës mungon prej shumë vitesh. Kujtojmë që albumi i fundit i këngëtares është lancuar në vitin 2016 dhe fansat mezi po presin një projekt muzikor nga ajo!