Një lajm i mirë për ata që janë në pritje të nisjes së doktoraturës. Pas tri vitesh, Ministria e Arsimit ka vendosur të rihapë ciklin e tretë të studimeve. Lajmin e konfirmon për gazetën zv.ministri i Arsimit, Redi Shtino. Komisioni i reformës në arsim, bashkë me ekspertizën më të mirë të huaj, po u japin dorën e fundit akteve nënligjore, të cilat do të jenë gati në fund të prillit.

Pas vizitës së themeluesit të Kartës së Bolonjës, Fabio Roversi Monaco, kontribues i akteve zbërthyese të ligjit (veçanërisht të ciklit të tretë të studimeve), është tashmë edhe prof. Andrea Morrone, drejtues dhe koordinator i programit të doktoraturave të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Bolonjës.

Pas një bisede me profesorin italian dhe zv.ministrin Shtino, gazeta sjell konkluzionet apo atë çfarë është rënë dakord në lidhje me kushtet dhe kohën që i duhet një studenti për të kryer doktoraturën. Implementimi i ligjit të arsimit të lartë ka marrë asistencën më të mirë të vendit fqinj, duke eliminuar mundësinë e ndeshjes me të njëjtat gabime që Italia (e cila ka adoptuar të njëjtin model, atë anglo-sakson), ka bërë gjatë rrugëtimit të saj arsimor.

Prof. Morrone thekson se kontributi në Shqipëri ka qenë veçanërisht interesant, pasi ka shërbyer për të krahasuar eksperiencën italiane, me iniciativën e rëndësishme reformuese që ka ndërmarrë qeveria shqiptare.

KRITERET E REJA

Profesori italian flet për një riorganizim të sistemit të doktoraturës, me kushte shumë më të rrepta seleksionimi, ndërsa të përzgjedhurit duhet t’u përkushtohen studimeve me kohë të plotë.

“Kushti i parë duhet të jetë përkushtimi i dedikuar ndaj kërkimit për doktoraturën. Pra, duhet që në Shqipëri, si dhe në Itali, hulumtuesit të jenë në gjendje të bëhen profesorë të shkëlqyer, falë punës dhe sakrificës që vjen nëpërmjet studimit dhe kërkimit. Për këtë ka nevojë që sistemi i doktoraturës të riorganizohet. Ne aplikojmë konkursin publik, ku mund të marrin pjesë të gjithë të diplomuarit, apo të punësuarit që duan t’u dedikohen hulumtimeve dhe të vihen në provë”.

Sipas prof.Morrones, konkursi publik mbështetet në tri elemente kryesore, të cilat me shumë gjasë do të implementohen edhe në Shqipëri: CV e kandidatit (eksperiencat studimore e publikimet e ndryshme) projekti i kërkimit shkencor që propozon për miratim përpara komisionit përkatës, si dhe testimi, i cili mund të jetë me shkrim, një analize që duhet ta paraqesë përballë komisionit ose një intervistë specifike.

Kriteret e vlerësimit mund të ndryshojnë sipas rregulloreve që IAL-të do të përgatisin për ciklin e tretë. Në Itali, ata që kalojnë në këtë sitë mbështeten plotësisht nga shteti për të kryer studimet e mëtejshme. Pra, më të mirët shpërblehen. Sipas ligjit të ri, nuk do të ketë kufi moshe. Mjafton që një kandidat të tregojë që është i aftë për të kryer hulumtime të mëtejshme dhe mund të fitojë të drejtën për të ndjekur ciklin e tretë të studimeve. Për zv.ministrin Shtino, studimet doktorale do të jenë problematike për të punësuarit, të cilët duhet të përballen me sipërmarrjen e vështirë.

“Në ligj është parashikuar impenjim me kohë të plotë. Kjo përbën një problem për ata që janë të angazhuar, apo janë të punësuar diku, pasi niveli i impenjimit do të jetë i barabartë me atë të një punësimi të dytë. Por kjo është një marrëdhënie që do të konsultohet gjerë dhe me IAL-të, përpara se të ngurtësohet në aktet normative përkatëse. Do të jenë këto të fundit që, nëpërmjet rregulloreve të ciklit të tretë, do të thonë fjalën e fundit”, vë në dukje Shtino.

RAPORTI PROFESOR/DOKTORANT

Rihapja e studimeve të ciklit të tretë do të forcojë jo vetëm parimet seleksionuese, por edhe mekanizmat e kontrollit. Nuk do të ketë më 40 doktorantë që ndiqen nga një profesor. Ndonëse ky raport ende nuk është definuar, sipas zv.ministrit nuk do të përsëriten më praktikat e mëparshme që çuan deri në pezullimin e doktoraturave. Sakaq, në kuadër të autonomisë së universiteteve, do të jenë vetë departamentet që do të përcaktojnë numrin e tyre.

“Numri nuk është vendosur akoma. Mund të ketë 3 apo edhe 10 doktorantë për profesor për çdo vit akademik. Kjo do të varet nga kapaciteti financiar i departamentit. Ky i fundit do të vendosë se ku duhet të financojë më tepër, ndoshta në një sallë të re apo në një projekt kërkimor.

“Për profesor Morrone-n, një organ i posaçëm, që mund të jetë Këshilli i Doktoraturës, do duhet të bëjë monitorimin e studimeve të mirëfillta doktorale. “Doktoratura nuk shërben si titull që ndihmon për të gjetur punë, por duhet të përfaqësojë një instrument për karrierën akademike universitare. Objektivi i kërkimeve nuk është titulli, por duhet formimi i të rinjve studiozë, të aftë për të kryer kërkime shkencore, për të pasuruar kulturën universitare”.

/PANORAMA/