Personat që nuk kanë ndjekur më parë studimet e larta mund të regjistrohen në universitet përmes formularit A1Z, i cili hapet në fund të shtatorit. Ndërsa ata që duan një diplomë të dytë, ose që kanë mbaruar gjimnazin jashtë vendit, duhet të ndjekin procedura të veçanta përmes platformës e-Albania ose drejtpërdrejt në universitetet përkatëse.

Të gjithë që nuk kanë ndjekur më parë studimet e larta, por dëshirojnë të regjistrohen në universitet, kane mundësi përmes formularit A1Z.

Sipas Drejtorit të Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj,  ky formular pritet të hapet në datat 20 deri më 22 shtator, pak ditë përpara nisjes së aplikimeve në raundin e dytë të pranimeve në universitet.

Nga ky proces përjashtohen personat që kanë përfunduar tashmë një cikël studimesh, por dëshirojnë të ndjekin një shkollë të dytë të lartë.

Këta aplikantë duhet të kontaktojnë direkt universitetin përkatës, pasi klasifikohen në një kategori të veçantë dhe nuk përfshihen në sistemin e përzgjedhjes përmes QSHA-së.

Gjithashtu, për nxënësit që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Shqipërisë, por duan të ndjekin studimet e larta në vendin tonë, procesi i aplikimit bëhet gjithashtu nëpërmjet platformës e-Albania, duke ndjekur hapat e përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe QSHA.

Ky sistem synon të garantojë transparencë dhe akses duke u dhënë një tjetër mundësi atyre që nuk kanë vijuar studimet e larta më parë. /Oranews