E ardhmja e Juventusit është një enigmë madhështore dhe frika sa vjen e bëhet më e madhe çdo ditë. Ndonëse avokatët bardhezi kanë nisur nga puna për t’u mbrojtur dhe për të anuluar dënimin me 15 pikë, për çështjen e plusvalencave, i njëjti prokuror që e dërgoi në Apel çështjen, Xhuzepe Çine, po përgatit edhe dosjen për çështjen e pagave të periudhës COVID të Juventusit.
Sipas asaj që raporton “Corriere dello Sport” dhe zërave të grumbulluar prej tyre nga qarqet pranë Prokurorisë Publike, Çine pritet të kërkojë, në rastin më të mirë, jo më pak se 20 pikë të tjera penalizim për klubin më të titulluar në historinë e futbollit italian.
Dhe nëse diçka e tillë do të bëhet realitet, pa dyshim që do të ishte një goditje, e cila mund të sillte edhe “knock out”-in sezonal për bardhezinjtë, duke rrezikuar që të zbrisnin nën 20 pikët dhe të bënin një kampionat për mbijetesë, në fund të së cilit pasojat mund të ishin shumë të mëdha, në imazh dhe në aspektin ekonomik.
Përveç fshehjes së pagave që nuk janë raportuar në bilanc, për një vlerë prej 90 milionë eurosh, e cila ka falsifikuar shifrat e buxhetit dhe ka ulur fiktivisht borxhin në rritje të bardhezinjve, pjesë e hetimit është edhe partneriteti dhe pagesat jostransparente me agjentët besnikë të klubit torinez, e cila shton edhe më shumë dozën e pagesave në të zezë të bëra në periudhën 2-vjetore, 2019-2021.
Gjithsesi, në pritje për të mësuar nëse kërkesa prej -20 pikësh për çështjen e pagave do të bëhet realitet apo jo, ndërkohë sërish “Corriere dello Sport”, raporton se avokatët e Juves do të bazohen te defekti formal i kërkesës për dënim dhe mbi kontestimin se ky vendim është i pamundur që të mbështetet në një ligj sportiv.
Prandaj, nuk ka sesi të dënohet dikush, pa pasur shkelur asnjë ligj. Dhe mbi të gjitha faktin se edhe kërkesa e procedurës për dënimin e Juves është dërguar dhe pranuar jashtë afateve nga hapja zyrtare e çështjesh (30 ditë maksimumi), plot 52 ditë më pas.
Dhe për rikujtesë, në Gjykatën e Garancisë në “CONI” (Komiteti Olimpik Italian), nuk mund të bëhen zbutje apo rëndime të vendimeve të marra, por trupi gjykues i organit më të lartë sportiv në Itali, ose mund të konfirmojë skualifikimin, ose mund të anulojë vendimin.