Qeveria ka vendosur të rihapë sërish tenderin për parkun industrial të Spitallës në Durrës, duke shfuqizuar vendimin e mëparshëm.
Rihapja e tenderit u bë publike edhe më parë nga ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, në një intervistë për Ora Neës. Kështu, qeveria ka vendosur që të rihapë garën për investimin e zonës industriale prej rreth 199 mijë hektarësh.
Tre janë llojet e veprimtarive që do të zhvillohen në këtë zonë:
1. a) prodhuese, industriale dhe agropërpunim;
2. b) tregtare dhe magazinim mallrash;
3. c) shërbime.
Ashtu sikurse është bërë me dije më herët, periudha e shfrytëzimit është 99 vite dhe qiraja e tokës është me çmimin simbolik prej 1 eurosh.
“Përzgjedhja e zhvilluesit të bëhet nëpërmjet procedurës konkurruese”, thuhet në pikën 6 të vendimit të qeverisë, ndërsa fillimisht do të shfrytëzohet një sipërfaqe prej 101.2 hektarë.
Të gjithë investitorët duhet të plotësojnë pesë kritere për përfitimin e tenderit, që janë si më poshtë.
a) propozimi i projektit teknik;
b) ndikimi mjedisor;
c) ndikimi social;
ç) kohëzgjatja e punimeve;
d) kapaciteti financiar i kompanisë dhe mundësia e financimit të projektit.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.