Normaliteti po kthehet ngadalë, në Wuhan, vendi kinez ku koronavirusi u shfaq së pari. Njerëzit tanimë po kthehen në vendet e tyre të punës dhe transporti publik po rifillon ndërsa pas dy muajsh karantinë.
Zbutja e kufizimeve në Wuhan vjen ndërsa zyrtarët kinezë të Shëndetësisë raportuan të hënën se nuk ka asnjë rast të ri të virusit vdekjeprurës, por konfirmuan 39 raste të reja të sjella nga jashtë.
Banorët e Wuhan-it që konsiderohen të shëndetshëm, tani mund të ecin nëpër qytet, të marrin autobusin apo metronë, me kusht që të kenë një kartë identiteti.
Ata po ashtu mund të kthehen edhe në punë nëse kanë një leje nga punëdhënësi i tyre dhe të dalin madje edhe nga qyteti, pasi të jenë testuar për virusin dhe të kenë marrë një certifikatë shëndetësore.
Virusi, që u shfaq në një treg të qytetit në dhjetor, bëri që qyteti të vihej nën një izolim drastik që nga 23 janari. Që atëherë, infektimet kanë rënë ndjeshëm, dhe për pesë ditë radhazi nuk ka patur asnjë rast të ri në të gjithë provincën e Hubeit. Zbutja e kufizimeve, vjen pas vizitës së presidentit kinez në qytet, më herët këtë muaj.





