Pas dy vendimeve të qeverisë për përcaktimin e zonave ku do të lejohen kazinotë dhe kushtet e licencimit të tyre, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji shkruan në Facebook se ky është një veprim i kryeministrit disa muaj para ikjes nga pushteti. Sipas Salianjit, Rama po i rihap kazinotë me VKM dhe me kushte siç ia kërkojnë oligarkët.

“Me arkën e shtetit bosh dhe i mbytur deri ne grykë nga borxhet, Rama që nuk ka asnje zgjidhje për shqiptarët po zgjidh për vete duke bastisur e gllabëruar kudo vetem pak muaj para rrezimit nga pushteti. Të gjithe e mbajnë mend oshëtimën e propogandës se tij ndërsa e quante kriminale hapjen e Kazinove dhe lojêrave të fatit.  Tani po i rihap me VKM dhe me kushte siç ia kërkojnë oligarkët e kazinove. Edi Rama po shet dhe zbras Shqipërinë për lekë dhe vetëm lekë. Erdhi me masken e rilindasat e po iken me damken e lekistit me ordiner qe ndoshta ka njohur Shqipëria!”, shkruan ai.

Një reagim ka patur edhe nga Shefi i kabinetit të Partisë Demokratike, Dorjan Teliti.

“Plot dy vjet më parë, nga foltorja e Parlamentit të deligjitimuar, KM deklaronte: …kazinotë do të jenë të mundura vetëm për hotelet me 5 yje, ASNJË LËSHIM NË ASNJË HAPËSIRË TJETËR.
Dhe si çdo premtim i Edi Ramës, edhe ky u tret në pluhurin e harresës dhe të interesave të oligarkëve të tij. Sot, dy vjet më vonë, ndonëse në një kohë që BE ka futur Shqipërine në listën gri për pastrimin e parave dhe ka nënvizuar lojrat e fatit si një nga mënyrat se si pastrohen paratë, Rama në nxitim e sipër, në muajt e fundit të qeverisjes së tij agonike, rikthen në lojë kazinotë në zemër të Shqipërisë, në qendrën historike të Tiranës”
, shkruan Teliti në Facebook.

“Nuk mendojnë as edhe një sekondë si të ndihmojnë mijëra bizneset që po falimentojnë, apo si të mbështesin sadopak qindra mijëra njerëz që kanë humbur vendin e punës dhe sot vuajnë për bukën e gojës, por çdo gjë në funksion të groposjes së Shqipërisë edhe më shumë në vorbullën e parave të pista, me të njëjtët dhe për të njëjtët që dje u hoqi TVSH-në për jahtet, dhe u uli e qeranë e pronave shtetërore. Deri në ditët e fundit qeveria më e dështuar dhe e korruptuar në rajon e më gjerë, punon për të njëjtët grusht klientësh, por asnjëherë për shqiptarët. Koha t’i japim fund kësaj zhvatjeje të xhepave të njerëzve dhe pasurive publike”, shtoi Teliti.