Klinikat dentare rihapën dyert të hënën e 11 majit në kushte pandemie me masa të shtuara për të mbrojtur shëndetin e stomatologëve dhe pacientëve.

Mjeku stomatolog, Elton Zotaj, i cili prej 12 vitesh ushtron profesionin e tij në qytetin e Durrësit, thotë se rifillimi i punës është bërë sipas protokollit higjieno-sanitar i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Urdhri i Stomatologut, për masat kundër përhapjes së COVID-19.

“Këto masa përfshijnë që nga matja e temperaturës së pacientit,duke vazhduar me dezinfektimin pranë ambienteve tona. Pacienti duhet të jetë i pajisur me doreza. Është e ndaluar që ai të jetë i shoqëruar nga familjarë, këtu bëjnë përjashtim fëmijët që duhet të jenë të shoqëruar nga prindërit apo personat me aftësi të kufizuar.”, thotë ai ndër të tjera.

Megjithëse është diskutuar për rritje çmimesh, stomatologu Zotaj shprehet se pavarësisht kostos së shtuar për shkak të masave mbrojtëse, ai ka zgjedhur të mos e praktikojë për të përcjellë një mesazh.

Ndonëse në karantinë dhe klinika e tij dentare ka qenë e mbyllur sipas urdhrit të qeverisë, Zotaj tregon se nuk kanë munguar telefonatat e pacientëve gjatë kësaj periudhe të cilët i ka këshilluar sipas rastit.

Ndërsa tani që do të jetë në kontakt të drejtëpërdrejtë me ta, nuk i frikësohet mundësisë së infektimit nga COVID-19.

“Mendimi im është që këtu nuk mund të ketë vend për panik por duhet të kemi në vazhdim masa të shtuara të kujdesit shëndetësor dhe duhet që pacientët t’i instruktojmë gjatë kësaj kohe që të fokusohemi te ndërhyrjet minievazive. Ndërhyrjet që kanë një spektër më të madh rreziku, e mira është të shtyhen në kohë.”, shprehet Zotaj.

Sipas mjekut stomatolog, orari kufizues deri në orën 17:30 i vendosur nga qeveria për të ushtruar aktivitetin është i përshtatshëm në këtë fazë të rihapjes.

G.D.