Një ditë pasi Partia Socialiste deklaroi se Vangjush Dako do të rikandidojë për herë të katërt në krye të bashkisë së Durrësit ka reaguar dega e Partisë Demokratike në qytetin bregdetar.
I sapo zgjedhur në krye të opozitës, Ferdinand Xhaferaj i cili në 2011 humbi betejën e drejtpërdrejtë për bashkinë e Durrësit ndaj Vangjush Dakos, la të hapur mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve vendore të 2019-s.
"Dako paraqitet opsioni më i lehtë për ne, për një arsye të thjeshtë sepse kemi një evidencë të dokumentuar për rritjen e votave. Ne do të mbajmë zgjedhje lokale vetëm nëse do të garantojmë barazi politike të partive politike me votuesit, barazi në zgjedhje, ndryshe nuk është çudi që opozita të dalë nga sistemi."
Xhaferaj i vuri kusht Lulëzim Bashës, kreut të partisë më të madhe opozitare, të zgjidhë një herë e mirë, përfundimisht çështjen e blerjes së votës, duke deklaruar se PD Durrës, del jashtë sistemi e nuk merr pjesë në zgjedhjet vendore të 2019-s.
“Nëse çadra na dëmtoi shumë në rezultatin e vitit 2017-s, sot e mbrapa janë sqaruar shumë faktorë të brendshëm e të jashtëm, si ndodhi me kanalizimin e si u investuan këto para për zgjedhje pa barazi e jo të lira e të ndershme. Dako të konkurojë duke e ditur që nuk do të ketë as të fortë e as para në këto zgjedhje”.
Xhaferraj i humbi zgjedhjet me Dakon ndërsa për katër mandate ishte zgjedhur deputet i PD –së.
"Në politikë kam fituar katër herë e kam humbur një herë. Nga 2007 deri në 2011 Dako i ka rritur votat me 67%. Çfarë ndryshimesh bëri që të rriste votat tre herë më shumë? Ndërsa Edi Rama i rriti me 25%? Duke garantuar që ata zotërinjtë që pi kafe nuk do t’i përdorë më në fushatë, duke garantuar që nuk do blejë më vota, Ferdinand Xhaferaj dhe Partia Demokratike e Durrësit nuk futet më në zgjedhje nëse zoti Basha nuk sqaron përfundimisht problemin e blerjes së votës dhe përdorimit të fondeve. Kjo është një çështje që i takon ta zgjidhë zoti Basha. PD ose rri ose del jashtë sistemit. Me barazi të votuesve kjo është detyra jonë", tha ai.
Ferdinand Xhaferaj ka fituar katër herë mandatin e deputetit në siglën e PD në Durrës por në zgjedhjet lokale të 2011 ndërpreu mandatin e deputetit e të ministrit të Kulturës në qeverinë “Berisha 2”, e kandidoi përballë kreut aktual të bashkisë Vangjush Dako.
Xhaferri e humbi garën me 3 mijë vota diferencë me Dakon, i cili fitoi mandatin e dytë. Në 2015, Dako fitoi mandatin e tretë përballë Grida Dumës, me 15 mijë vota diferencë. PD e Durrësit në zgjedhjet lokale të ardhshme pretendon që të avantazhohet në raport me votat për PS-në.





