Ish-konkurrentja e “BB”: Ja si mund të zgjasë një dashuri si e jona
1 shtator 2013- Pas daljes nga loja e “Big Brother 6”, Rike Roçi po shijon pushimet e para intime në çift jashtë Italisë, me të dashurin Dj. Luca Binatti. Po pushojnë në ishullin Formentera të Spanjës, ku janë realizuar dhe këto foto pak para fillimit të sezonit të ri televiziv në Tiranë, ku Rike po përgatitet të shfaqet për herë të parë si moderatore. Këto ditë të fundit pushimesh, Rike i është dorëzuar relaksit, duke u bërë dalje të gjitha problemeve të përditshme të jetës. Për sa i përket lidhjes me italianin Luca, 24-vjeçarja me origjinë nga Durrësi tregon për sekretet e historisë së gjatë të dashurisë. Lidhja e tyre tashmë i ka kaluar shtatë vite, që njihet si pragu i fundit i provës së jetëgjatësisë së një çifti. Ndaj në këtë intervistë ndryshe për “Panorama Plus” Rike zbulon disa sekrete se si një dashuri mund zgjasë me të njëjtin pasion si ditën e parë
Pas disa ditësh pushime pa të dashurin në Shqipëri, udhëtoni drejt Spanjës me Lucën. Si po i kaloni këto ditë në intimitet të plotë?
Po, ne kishim një muaj që ishim larg njëri-tjetrit dhe na u duk sa një jetë, aq shumë na kishte marrë malli. Kemi katër ditë që kemi mbërritur këtu në ishullin Formentera në Spanjë, dhe do të pushojmë deri në mes të shtatorit. Po relaksohemi në plot kuptimin e fjalës, dhe po i shijojmë këto ditë pushimi si çift.
Çfarë u vendos për punën tënde në një televizion shqiptar, do të shohim në ekran këtë sezon të ri?
Është ende duke u shqyrtuar çështja e punës. Tani për tani s’dua të mendoj asgjë, por të shijoj qetësinë vetëm për vetëm me Lucën.
E keni shprehur edhe në media që jeni një çift shumë i lidhur me njëri-tjetrin. Si i kaloni 24 orët e ditës dhe natës së bashku?
Ditën plazh gjithë ditën, pasi të dyve na pëlqen që të marrim shumë ngjyrë. Ndërsa natën argëtohemi pa fund në club-et e bukura këtu në Formentera.
Jeni shumë të rinj dhe keni shtatë vite bashkë, që duke pasur parasysh moshën tuaj, ti 24 vjeçe dhe Luca 25, pothuaj jeni rritur bashkë. Si keni mundur ta mbani lidhjen gjatë?
Kemi mundur dhe mundemi ende sepse ne jetojmë historinë tonë pa komplekse dhe ditë pas dite.
Vuani nga xhelozia, si e menaxhoni këtë ndjenjë?
Po jemi xhelozë, por më duket shumë çështje private për të zbuluar më shumë rreth menaxhimit të kësaj ndjenje. (qesh)
Si mund të zgjasë një lidhje duke iu referuar eksperiencës suaj?
Varet nga çifti dhe shumë detajeve që duhet t’u jepet rëndësi në një lidhje. Parësore është se ajo që s’duhet të mungojë është dashuria. Së dyti i dashuri s’duhet të mendojë që kemi shumë vite bashkë dhe partnerja do të jetë e imja përgjithmonë. Çdo ditë ai duhet të bëjë diçka të re e ndryshe për mua që të mund të më ketë gjithmonë.
Ju tremb monotonia, e keni ndier veten të mbërthyer nga gjërat e zakonshme dhe rënien në përsëritje?
E di që shumë çifte pas disa vitesh bashkë përfundojnë në monotoni. Kurse ne jo. Ne jemi gjithmonë “adrenalinë e pastër”.
Kush zgjohet i pari në mëngjes?
Luca, pasi unë jam gjumashe. Madje, ai më bën dhe mëngjesin gati.
Cili prej jush kujdeset më shumë për trupin?
Luca. Ai shkon rregullisht në palestër, ndërsa unë nuk bëj asgjë për të mbajtur trupin në formë.
Alkoolin kush e konsumon më tepër?
Nuk e kemi shumë qejf alkoolin, po kur dalim, Luca preferon “mojiton”.
Puthjen e parë kush e dha?
(qesh) Normal që ai.
Shpullën e fundit?
Asnjëri. Ne puthemi vetëm, nuk merremi me shpulla.
Cili qan nga ju të dy?
Vetëm unë dhe kushedi sa herë. Por kanë qenë lot gëzimi, të kuptohemi.
Cili vuan më shumë në këtë lidhje?
Vuajtje?! Asnjëri, pasi s’ka arsye.
Dhuratat më të shtrenjta kush i bën?
Ai. Unë jam tip që më pëlqen të marr dhurata, jo të bëj…
Martesën kush e dëshiron sa më shpejt?
Tani për tani asnjëri prej nesh.
Po fëmijë kush do të donte?
Akoma jo, nuk jemi gati. Nëse nuk martohemi si fillim, s’kemi pse sjellim në jetë fëmijë. Jam pak tradicionale në këtë çështje.
Çfarë bën ai për të mbajtur një femër si ty, dhe ti një mashkull si ai?
Thjesht më fal dashurinë e tij pa kushte, dhe unë po ashtu.
/panorama /





