Është zbuluar platforma e Skënder Gjinushit, i cili u zgjodh ditën e sotme për një tjetër mandat në krye të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Gjinushi siguroi 98 përqind të votave, ku nga 53 akademikë, vetëm 2 votuan kundër tij.
Në platformë, Gjinushi iu kërkon votëbesimin akademikëve, ku rendit dhe rëndësinë e ligjit të ri për Akademinë, që sipas tij shmang duke shmangur çdo ndikim të njëanshëm politik në këtë institucion. Po ashtu Gjinushi thekson se ka pasur tentativa nga segmente të politikës për të imponuar atë që e quan rithemelim të Akademisë.
“Refuzimi i qartë që iu bë presionit e tentativës nga segmente të politikës për të imponuar një të quajtur rithemelim të Akademisë, me anë të ripastrimit të Asamblesë sonë, duke iu rihequr me ligj të drejtën e votës shumicës së anëtarëve të saj, çka do ta zhvishte atë nga e drejta bazë, e drejta sovrane, si institucioni i vetëm me të drejtën për të zgjedhur anëtarët dhe drejtuesit e rinj, ishte treguesi më i qartë se kjo Asamble qe e vendosur për të bërë një reformë të vërtetë ligjore në dobi të shkencës e jo në shërbim të politikave të ditës.”, thuhet në platformën e Gjinushit.
PLATFORMA PËR KANDIDIMIN PËR FUNKSIONIN E KRYETARIT TE ASHSH-SE
Të nderuar anëtarë të Asamblesë,
Katër vjet më parë kërkova votëbesimin e Asamblesë së ASHSH për të ushtruar funksionin më të nderuar e më fisnik në vend, atë të kryetarit të Akademisë së Shkencave, institucionit më të lartë të mendimit e të kërkimit shkencor tek ne. E ndërmora këtë hap për të ushtruar këtë detyrë me shumë përgjegjësi në një moment delikat për vetë Akademinë dhe për shkencën shqiptare në tërësi, i shtyrë dhe i inkurajuar nga fryma dhe mbështetja që Asambleja, anëtarët e saj, në shumicë dërrmuese, i dhanë ideimit e konkretizimit të bazës ligjore të reformës, nëpërmjet hartimit e diskutimit të ligjit të ri të saj, duke shmangur çdo ndikim të njëanshëm politik në të.
Refuzimi i qartë që iu bë presionit e tentativës nga segmente të politikës për të imponuar një të quajtur rithemelim të Akademisë, me anë të ripastrimit të Asamblesë sonë, duke iu rihequr me ligj të drejtën e votës shumicës së anëtarëve të saj, çka do ta zhveshte atë nga e drejta bazë, e drejta sovrane, si institucioni i vetëm me të drejtën për të zgjedhur anëtarët dhe drejtuesit e rinj, ishte treguesi më i qartë se kjo Asamble qe e vendosur për të bërë një reformë të vërtetë ligjore në dobi të shkencës e jo në shërbim të politikave të ditës.
Mbështetja që iu dha ligjit për reformën nga kjo Asamble dhe nga partnerët tanë në Europë, në veçanti nga ALLEA e Akademia Gjermane e Shkencave Leopoldina prej fillimit deri në miratimin në Kuvend ishte mesazhi më i fortë e më inkurajues se Akademia e Shkencave e kishte tërë vullnetin dhe potencialin për t’u vetëreformuar, dhe, krahas kësaj, për t’u bërë protagoniste e nxitëse kryesore për reformimin e tërë sistemit të kërkimit shkencor në vend.
Këtë frymë e këtë klimë midis kolegëve e ndjeva më drejtpërdrejt kur kjo Asamble nuk u pajtua as me tendencën tjetër të politikës, për të diktuar ajo cilët do të ishin drejtuesit e Akademisë, duke injoruar vullnetin e trupës akademike të shprehur me votë. Këto qendrime i dhanë një mesazh të fortë politikës e opinionit në tërësi, atë që ndryshimet e kërkuara ndaj ASHSH duhej të fillonin nga njohja de facto e pavarësisë së saj, nga rikthimi i besimit ndaj saj, nga ndryshimi i përqasjes së institucioneve legjislative e ekzekutive ndaj Akademisë, duke e parë atë si faktor kryesor përcaktues në kryerjen e reformave për shkencën, duke kuptuar më së fundi se Akademia ishte pjesë e zgjidhjes së problemit dhe jo pjesë e problemit.
Sot, pas katër vjetësh, ne shohim me kënaqësi që reforma e nisur 5 vjet më parë nga Akademia jonë i ka dhënë rezultatet e saj dhe se kushdo që e mbështeti me votë në Asamble a Kuvend dhe në çdo formë tjetër nuk është i zhgënjyer, përkundrazi, i vlerëson ndryshimet e rezultatet e arritura. Efekti i parë i rëndësishëm i reformës është ndryshimi i imazhit negativ të krijuar padrejtësisht ndaj Akademisë si institucion nëpërmjet përbaltjes sistematike, që preku edhe mjediset arsimore-shkencore që janë më pranë nesh. Sot imazhin e Akademisë nuk e zbehin dot më as disa zëra të veçantë, të cilët, në pamundësi për të deformuar a nënçmuar veprimtarinë, punën dhe rezultatet e Akademisë duke e sulmuar si institucion, janë përqendruar dëshpërimisht e në mënyrë vulgare në personalizimin e tyre. Ky ndryshim erdhi në saje të realizimit të suksesshëm të fazës së parë të reformës, ku ka kontributin e vet çdo anëtar i Asamblesë, jo vetëm me mbështetjen e dhënë për zbatimin e saj, por edhe me aktivizimin individual si anëtar a drejtues seksioni dhe komisioni; si drejtues a anëtar njësie dhe qendre; si drejtues a pjesëmarrës në projekte:
– Procedurat e reja ligjore e statutore për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe vendosja e statusit të akademikut emeritus, me të gjitha të drejtat si anëtar, freskuan e riharmonizuan marrëdhëniet midis brezave të anëtarësisë në Asamble;
– Përfshirja e strukturave të institucioneve të arsimit të lartë në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj rriti besimin midis tyre dhe Akademisë;
– Ngritja e komisioneve të përhershme edhe me anëtarë joakademikë forcoi më tej besimin dhe marrëdhëniet e ASHSH me institucionet arsimore-shkencore, duke e kthyer atë në një qendër të hapur të debatit shkencor, në organizatoren e pritësen e veprimtarive kryesore shkencore kombëtare e ndërkombëtare në të gjitha fushat kryesore të shkencës e të dijes, për tërë ngjarjet e figurat kryesore historike e shkencore;
– Ngritja e njësive të kërkim-studimit në fushat kryesore të shkencës rriti rolin tonë si institucion koordinues, nxitës e promovues të kërkimit shkencor dhe të kërkuesve të rinj. Mbështetja që ofroi Akademia me fondet e saj për studimet për probleme akute të shoqërisë, si ato të lidhura me pasojat nga tërmetet e nga pandemia e shkaktuar nga Covid-19, për të kaluar më tej në projekte zanafillëse në fusha me interes të shkencës, e rikthyen ASHSH në një qendër aktive të kërkimit, duke i dhënë mundësinë të parashikojë edhe nevojat për ngritjen e qendrave të reja të kërkimit shkencor, sidomos në disiplinat e kohës;
– Ndërmarrja prej ASHSH, në bashkëpunim me institucione të tjera dhe me ASHAK-un e projektimit, organizimit dhe drejtimit të tri veprave madhore në albanologji, e shoqëruar së fundi kjo edhe me kalimin e instituteve përkatëse nga varësia prej Ministrisë së Arsimit pranë Akademisë, përbën pa dyshim efektin më me vlerë e më me perspektivë të reformës që u ndërmor.
Inkurajuar nga këto arritje të përbashkëta, nga mbështetja në vazhdimësi e në çdo fazë e moment të masave për reformën e të punës së Kryesisë në realizimin e tyre, kam pranuar propozimin e tre kolegëve tanë shumë të nderuar për të marrë kurajon e përgjegjësinë për të kryer funksionin e Kryetarit të ASHSH për katër vitet e ardhshme, në rast se i tillë është dhe besimi e vullneti i Asamblesë. Angazhimi im për këtë mandat, si pjesë e drejtues i Kryesisë, është ai i përcaktuar tashmë nga Asambleja: realizimi i fazës së dytë të reformës, ngritja në një nivel më të lartë të realizimit të detyrave e të misionit të ASHSH, përcaktuar nga Ligji 53/2019 në nenet 1 e 4, me synimin:
1. Kthimin e ASHSH dhe të instituteve përkatëse pranë saj në qendrën kryesore të kërkimit e studimit në shkencat albanologjike (pika 4/17);
- Realizimin me sukses të tre projekteve madhore në albanologji: hartimi i Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, i Historisë së shqiptarëve (variant i sintetizuar) dhe i Enciklopedisë së shqiptarëve, duke përfshirë krijimin e korpusit të gjuhës shqipe (pika 4/16);
3. Zgjerimin e rrjetit të instituteve e qendrave kërkimore afatgjata pranë ASHSH në fushat kryesore të shkencave shoqërore e natyrore-teknike, posaçërisht me ngritjen e qendrës së bio-gjenetikës dhe të qendrës rajonale Nano-Ballkan, për t’i dhënë Akademisë rolin e pararendësit dhe koordinuesit të kërkimit në fushat kryesore (4/4, 4/5, 4/6);
4. Konsolidimin e praktikës së ngritjes së njësive afatshkurtra të kërkim-studimit për trajtimin e problemeve madhore akute për çështje të veçanta, për ideimin e drejtimin e projekteve me interes shkencor e konceptimin e ngritjes së qendrave të reja të kërkimit (4/5, 4/6, 4/7);
5. Konsolidimin e veprimtarisë së instituteve virtuale në nivel kombëtar si IKF e IKM (4/2, 4/6);
6. Rritjen aplikimeve e të shkallës së suksesit për projekte shkencore pranë institucioneve vendëse e ndërkombëtare (4/10);
7. Rritjen e rolit të ASHSH në vlerësimin e nivelit dhe të cilësisë së transmetimit të shkencës në shkollimin universitar e parauniversitar, si dhe në hartimin e strategjive për zhvillimin e shkencës dhe arsimit në tërësi (4/4);
8. Ngritjen e cilësisë së botimeve në tërësi e të nivelit të rankimit të periodikëve (4/2, 4/8);
9. Konsolidimin e rolit tashmë të fituar të ASHSH në qendrën kryesore të organizimit të veprimtarive më me peshë e ndikim: shkencore, historike e celebruese që lidhen me to (4/11);
10. Zgjerimin e konsolidimin e bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë nëpërmjet veprimtarive e projekteve të përbashkëta, pjesëmarrjes së përfaqësuesve të tyre në komisionet e njësitë tona (4/9);
11. Forcimin e bashkëpunimit me Akademinë e të Rinjve, nëpërmjet riorganizimit të saj sipas ligjit;
12. Kthimin e QBAE në një qendër të përhershme mbështetëse për drejtimin e punës për botimet themelore, për mirëmbajtjen në vazhdimësi të bazave të të dhënave, për pasurimin e përditësimin e veprave madhore, si fjalorët e shqipes, thesaurus-in e saj, për botimet enciklopedike, për të garantuar hartimin në kohë e përditësimin e vijueshëm të tyre (4/16, 4/17);
13. Kthimin real të ASHSH në qendër të informimit për kërkimin shkencor, nëpërmjet riorganizimit të shërbimit biblotekar dhe të programeve COBISS dhe ECRIS (4/2, 4/5, 4/7, 4/13);
14. Zgjerimin e ambienteve të punës për Asamblenë, institutet e qendrat e reja pranë ASHSH, të aseteve e saj, përfshirë ngritjen e një muzeu të ri arkeologjik.
Sigurisht, për këtë duhet të konsolidohen më tej, të përmirësohen a të korrigjohen atje ku duhet edhe arritjet e praktikat e derimëtanishme. Pa dyshim, puna në ekip është e domosdoshme, aq me tepër për një institucion me drejtim kolegjial si yni, e këtu gjithnjë ka për të përmirësuar. Këtë e imponon dhe fakti se secili nga anëtarët e Asamblesë është më kompetenti në fushën e vet. Për këtë duhet konsoliduar roli i komisioneve e funksionimi i tyre, duke ripërtërirë përbërjen e tyre në bazë të shkallës së aktivizimit të anëtarëve, duke parë një përfaqësim sa më të mirë nga institucionet e tjera, sidomos duke pasur programe më të qarta pune në nivel komisioni e duke respektuar karakterin e tyre kolegjial. Ndonëse raportet kryesi-seksion-komision në tërësi kanë funksionuar, pasi detyrat përkatëse rregullohen me programin vjetor të miratuar në Asamble dhe qenia e kryetarëve të seksioneve si anëtarë kryesie e lehtëson këtë marrëdhënie, inercia e përvojave gjatë pandemisë për të preferuar mbledhjet online ka reduktuar pjesëmarrjet fizike, çka në kushtet e reja kërkon t’iu rikthehemi mbledhjeve më të rregullta për një komunikim të drejtpërdrejtë.
Pranimet e reja, cilësia e tyre, është një ndër vendimet më të rëndësishme të Asamblesë, që ndikon si në imazhin e veprimtarinë e Akademisë, ashtu dhe në plotësimin e angazhimeve të saj në këtë mandat. Tërë angazhimi ynë si anëtar kryesie e si anëtar i Asamblesë do të jetë që të konsolidohen procedurat statutore e ligjore, të respektohen kriteret e të përditësohen ato kur shihet e nevojshme, me qëllim që i vetmi subjektivizëm në përcaktimin e fushave të reja dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të jetë ai që shprehet me votë, pa ndikime e preferenca politike.
Kompetenca e Akademisë që të ngrejë njësi të përkohshme është një e drejtë e mundësi që do të nxitet në vazhdimësi. Por këtu, nisur nga përvoja e derimëtanishme, do të vlerësohet më me kujdes nevoja e ngritjes së çdo njësie, objekti i punës së tyre dhe më tej efikasiteti, për të mos pasur ngritje formale, pavarësisht që në tërësi ato punojnë si njësi virtuale nën drejtimin e një akademiku, e për këtë u jemi mirënjohës kolegëve tanë.
Krahas ngritjes dhe konsolidimit të njësive, angazhim mjaft i rëndësishëm është mbështetja që jep Akademia për projekte të caktuara me financim të saj apo duke aplikuar pranë AKKSHI-it. Në këtë periudhë ky financim është parë si një pervoje e parë, si një mjet për të nxitur, njohur e bashkërenduar njësitë e reja e njësitë a grupet bashkëpunues me to. Në vitet e ardhshme lipset të vendosen kritere më të qarta se ç’nivel e ç’lloj projektesh duhet të mbështesë drejtpërdrejt ASHSH, në ç’masë do të jetë kjo mbështetje dhe se si duhet të kontrollohet efikasiteti i tyre. Bindja jonë e synimi ynë do të jetë që ASHSH të financojë vetëm projekte që lidhen me objektin e punës së çdo njësie a komisioni, për studime të mirëfillta shkencore që ndërmerren për herë të parë apo që kërkojnë një koordinim midis disa njësive ose që janë projekte pararendëse të një studimi madhor në të ardhmen. Ndërsa për aplikimet që bëhen pranë institucioneve të tjera, brenda e jashtë vendit, projektet duhet të kenë së pari mbështetjen e një njësie a komisioni dhe, në rast konkurrence a të nevojës për përcaktim prioriteti, vendimet duhet të merren nga seksioni. Në këtë platformë kemi paraqitur në mënyrë të sintetizuar çfarë arritëm në fazën e parë të reformës, çfarë synojmë në fazën e dytë të saj, duke e vlerësuar atë si një kontratë morale me ju për mënyrën e drejtimit të Kryesisë e të Asamblesë në realizimin e synimeve tona të përbashkëta.
Faleminderit për vëmendjen.