Rikonstruksioni i tregut të fruta-perimeve në Durrës nuk ka përfunduar ende. Punimet janë drejt fundit, por nuk ka një afat konkret, se kur do të rivihet në funksion, megjithëse premtimi i bashkisë në muajin korrik ishte për punime që do të përmbylleshin brenda 3 muajsh.

Nga një vëzhgim që “DurrësLajm” bëri në markatë, duket se volumi më i madh i punimeve ka përfunduar, ndërsa po punohet tashmë në pjesën fundore të tij.

Për shumë nga qytetarët durrsakë, rikonstruksioni i markatës ishte domosdoshmëri, nisur nga kushtet degraduese që ajo ofronte për tregtimin e frutave dhe zarzavateve.

Për shkak të mosfunksionimit të markatës, qytetarët, sidomos ata të moshës së tretë, kanë gjetur zgjidhje alternative për të bërë pazar, pasi largësia e tregut të hapur tek fusha e rërës, në lagjen nr.18 ishte pengesë për shumë prej tyre.  

Eshtë shumë larg atje. Atje nuk shkon njeri, këtu është qendra e tregut”,- deklaron një i moshuar

“Ti përfundojnë sa më shpejt punimet se është më mirë për ne. Nëse i zgjasin është keq për ne”,- thotë një qytetar.

270 tregtarët që ushtronin aktivitetin e tyre në markatë presin me ankth përfundimin e punimeve, pasi prej muajit korrik ata detyrohen të tregtojnë tek fusha e rërës. Tregu i improvizuar në këtë zonë nuk ofron asnjë kusht dhe nuk plotëson asnjë standart higjiene për tregtimin e fruta-perimeve.

Premtimi i bërë në muajin korrik

Në fillim të muajit korrik, tregtarëve iu kërkua të lironin tregun dhe të spostoheshin në rrugën “Bashkim Taga”, në lagjen nr.18, në vendin e njohur si “fusha e rërës”.

E ndodhur para protestës së më shumë se 200 tregtarëve, kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, premtoi se atyre do t’u zbritej tarifa prej 390 lekësh, për aq kohë sa do të zgjaste rikonstruksioni i tregut.

Në të njëjtën kohë, ajo premtoi realizimin e punimeve të rikonstruksionit brenda 2-3 muajve

Do të impenjohemi që të ngushtojmë afatet e punimeve, në mënyrë që të mos zgjasë 113 ditë aq sa ka kushtet e kontratës, por ta çojmë në limitet e dy deri tre muajve, që të kthehemi sa më shpejt në normalitet”,- deklaroi Sako më 1 korrik.

Fakt është se megjithëse jemi në ditët e fundit të vitit, rikonstruksioni i markatës së Durrësit ende nuk ka përfunduar.

M.B.