Rehabilitimi i rrugës  “Dëshmorët”, segmenti nga kryqëzimi me rrugën “Mujo Ulqinaku” tek Stacioni i Trenit në Durrës ka nisur prej javësh tashmë.

Investimi që po realizohet nga bashkia Durrës në vlerë 48 milionë lekë përfshin një sërë ndërhyrjesh në infrastrukturën rrugore dhe jo vetëm.

“Po bëjmë rehabilitimin e trotuareve. Po zëvendosojmë pllakat e vjetra me pllaka italiane të markës “Trani”. Po bëjmë kanalizimet, në mënyrë që të mos ketë më përmbytje në këtë rrugë, që është përmbytur gjithnjë, do të zëvendësojmë edhe sistemin e ndriçimit si dhe do të vendosim rampat për personat me aftësi të kufizuar”,– thotë përfaqësuesi i firmës kontraktuese, Eduart Ibrahimi.

E ndërsa punimet nga firma kontraktuese vijojnë me ritme normale dhe pritet të përfundojnë në muajin shkurt, aktivisti Flamur Bala ngre shqetësimin për vendosjen e rampave brenda parametrave të kërkuar në këtë aks, për të mundësuar lëvizshmërinë normale të personave me aftësi të kufizuar.

“Unë e ngre shqetësimin paraprakisht sepse e di që neglizhenca është shumë e madhe. Premtohet si gjithnjë, por më pas veprimi është zero. Rasti më i freskët është tek sheshi “Pranvera” ku u bënë 4 rampa dhe aty debatova me inxhinierët e zbatimit, pasi pashë që pedana ishte lënë e lartë 10 cm nga toka. Dua ta theksoj, një karrike me rrota duhet ta ketë 0 pjerrësinë, që invalidët të kalojnë në trotuar në kushte normale”,– thotë Bala për “DurrësLajm”, ndërsa na vë në dispozicion edhe fotot që dëshmojnë gabimin teknik.

Aktivisti Bala mori garanci nga përfaqësuesit e firmës se do të ndërhyhet në rampat e vendosura së fundmi, për t’i bërë ato sipas parametrave.

Bala kërkon përgjegjshmëri më të madhe nga mbikqyrësit e punimeve në kohën kur realizohen ndërhyrjet në rrugë, pasi në momentin kur punimet përfundojnë, askush nuk kujtohet për t’u rikthyer dhe riparuar gabimet e bëra.

“Bashkia e Durrësit nuk e vë ujin në zjarr fare dhe kur firmat private punojnë ata nuk vijnë që t’i mbikqyrin dhe të shohin nëse i kanë bërë kushtet e nevojshme për personat me aftësi të kufizuara, por edhe ato që nevojiten për qytetarët e Durrësit”.

Për personat PAK, infrastruktura rrugore e Durrësit, e realizuar sipas parametrave evropianë është jetike, për të parandaluar aksidente të mundshme.

Në përfundim të investimit që shtrihet në një gjatësi 1500 metra linear, rruga “Dëshmorët” do të jetë përgjatë gjithë gjatësisë së saj uniforme. Me këtë investim përmbyllet projekti për rehabilitimin e akseve kryesore të Durrësit, “Egnatia”, “Aleksandër Goga”, “Dëshmorët” dhe bulevardi “Dyrrah”.

M.B.