Përfaqësues të zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë, UNDP-së si dhe bashkisë Durrës, morën pjesë sot në inaugurimin e shkollës 9-vjecare “14 Nëntori”, e cila hapi dyert më 9 shtator.
Shkolla në fjalë u dëmtua rëndë nga tërmeti i pesëve vite me parë dhe iu nënshtrua procesit të rikonstruksionit.
Falë programit EU4Schools shkolla u rikonstruktua dhe ofron për 750 nxënësit dhe stafin pedagogjik mjedise shumë bashkëkohore, konform standarteve evropiane të mësimdhënies.
Në aktivitetin e organizuar paraditen e sotme pranë kësaj shkolle merrnin pjesë shefi i Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE-së në Tiranë, Hubert Perr, përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri, Monica Merino; ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako etj.
“Shkolla “14 nëntori” tashmë e rehabilituar ka rritur kapacitetet e saj. Është një shkollë që ofron standartet më të mira për mësimdhënien dhe përpos laboratorëve të shtuar, përpos klasave me standarte bashkëkohore do të kemi edhe palestrën e re dhe terrenet sportive, që janë pjesë e një zinxhiri investimesh për t’i shërbyer jo vetëm gjatë orarit mësimor, por edhe jashtë orarit mësimor”, deklaroi ndër të tjera ministrja Manastirliu.
“Bashkimi Evropian është shumë krenar sot për përfundimin e rikonstruksionit të kësaj shkolle, ku 750 nxënës dhe mësues gjejnë një “shtëpi” fantastike për zhvillimin e procesit mësimor. Kjo shkollë është një shembull konkret që institucionet arsimore shqiptare ofrojnë tashmë kushte bashkohore për zhvillimin e mësimit, njësoj si në shkollat e vendeve të BE-së”,- tha shefi i bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE-së në Tiranë, Hubert Perr.
Për kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, ndihma e dhënë nga Bashkimi Evropian dhe qeveria shqiptare ka qenë mjaft e çmuar 4 vitet e fundit, pasi është ndërhyrë në plot 40 institucione arsimore.
“Ne sigurisht që nuk do të kishim mundur që brenda këtij 4-vjeçari të mbaronim një numër kaq të madh shkollash pa ndihmën dhe suportin e donatorëve, por edhe të qeverisë shqiptare. Në qytetin tonë kemi 40 shkolla, kopshte dhe çerdhe të përfunduara brenda këtij 4-vjeçari, ku një pjesë janë nëpërmjet UNDP-së, një pjesë nga qeveria shqiptare dhe një pjesë me buxhetin e bashkisë. Sfidat për ne janë ende gjimnazi i Manzës, shkolla e Vadardhës, që është në proces. Kemi dhe gjimnazin Gjergj Kastrioti”, që paraqet një sfidë të veçantë për shkak të gjetjeve arkeologjike.”
Ky institucion arsimor është një prej 18 godinave shkollore të bashkisë Durrës, të cilat janë financuar për t’u rindërtuar apo rikonstruktuar nga programi “EU4Schools”.
Deri tani kanë përfunduar 13 objekte arsimore në territorin e bashkisë Durrës. Projekti “EU4Schools” synon rindërtimin ose rikonstruksionin e 63 objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
M.B.