Në buxhetin e këtij viti, bashkia Durrës ka planifikuar një investim të rëndësishëm publik, rikonstruksionin e tregut të fruta perimeve.
Në buxhet planifikohet që investimi të shtrihet përgjatë dy viteve 2021-2022 dhe në total vlera e projektit pritet të kapë shifrën rreth 60 milionë lekë të reja.
Arkitektja e bashkisë Durrës, Alba Kokomani, shpjegon për “DurrësLajm” se e gjithë sipërfaqja e tregut, rreth 5000 m2 do t’i nënshtrohet rikonstruksionit. Sipas saj, investimi ka për qëllim që të përmirësojë kushtet e tregtimit dhe njëkohësisht ta kthejë tregun në një pikë referimi dhe atraksioni.
“Përmes këtij projekti, bashkia synon të përmirësojë shërbimin në tregun kryesor të qytetit dhe pse jo ta shndërrojë atë në një pikë referimi dhe atraksioni sikundër shumë të ngjashëm në rajon. Aktualisht tregu ka një strukturë ekzistuese me konstruksion metalik dhe mbulim me llamarinë të valëzuar. Tregu i ri do të jetë një ndërtim tërësisht i ri, me mbulesë kapriate metalike dhe panele sanduiç. Pjesa e jashtme e fasadës do të ketë një veshje metalike me vrima, shtrimi në katin përdhe do të bëhet me pllaka grez porcelani, ndërsa do ta vendosen 350 tezga të reja metalike”,- thotë Kokomani.
Projekti nuk është përcaktuar ende se kur do të nisë të zbatohet, pasi Kokomani sqaron se pritet të kryhet fillimisht procedura tenderuese dhe më pas në kontratën që do të lidhet mes bashkisë dhe firmës fituese do të përcaktohen afatet e zbatimit të tij.
Në tregun aktual ushtrojnë aktivitetin rreth 300 tregtarë të fruta perimeve dhe jo vetëm. “DurrësLajm” e ka ngritur disa herë shqetësimin e shitësve për degradimin e kushteve të markatës së qytetit, në të cilën mungon një investim serioz prej vitesh.
Pas rikonstruksionit të tregut pritet të rritet edhe kapaciteti i tij me rreth 50 tezga të reja, me një total prej 350 të tilla. Gjatë kohës, kur tregu i fruta-perimeve do t’i nënshtrohet rikonstruksionit, punimet do të ndahen në dy faza, ndërsa një pjesë e tregtarëve do të spostohen në pika të tjera, të vëna në dispozicion nga bashkia.
“Është menduar që faza e punimeve të ndahet në dy pjesë. Do të zhvendoset fillimisht një pjesë e markatës në të cilën do të kryhen punime. Kjo pjesë do të spostohet pranë pikave të tjera të shitjeve që disponon bashkia”,– thotë Kokomani.
M.B.





