Kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar se në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës janë miratuar masat e reja kundër COVID-19.
Në një konferencë për mediat, Hoti tha se nga e premtja do të kthehet ora policore nëpër komunat me numrin më të madh të të infektuarve me COVID-19, që janë Prishtina, Podujeva, Gjakova e Peja.
Sipas vendimit të sotëm, ora policore do të jetë nga 19:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.
“Të premten në ora 19:00 fillon mbyllja e komunave që janë në zonë të kuqe. Gjatë ditës mund të ndodhë aktiviteti ekonomik, por me masa strikte. Masat që do t’i ndërmarrim do të jenë sipas ligjit”, është shprehur Hoti.
Gjatë orës policore do të ketë një mbyllje totale të aktivitetit ekonomik dhe nuk do të lejohen që qytetarët të dalin nga banesat.





