Rreth orës 09:15 të paradites së sotme është regjistruar një përplasje me armë zjarri në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Krastës. Nga përplasja me armë është plagosur Ardian Çapja.  

Ai ka qenë jashtë banesës së tij, ndërsa autorët i janë afruar me një makinë Opel ose Citroen dhe e kanë qëlluar. Dyshohet se Çapja ka marrë një plumb në shpatull.

Autorët pas ngjarjes kanë braktisur dhe djegur makinën në zonën e Fushë Mbretit. Brenda në makinë ka pasur fishekë, të cilët kanë shpërthyer nga djegia duke plagosur njërin prej zjarrfikësve që po shuante flakët. Pas atentatit në Elbasan kundër Ardian Çapjas ka zbarkuar RENEA me autoblinda në kërkim të autorëve.

Ardian Çapja është një emër i njohur në qytetin e Elbasanit, por edhe për drejtësinë, pasi ka qenë shoqëruar disa herë, ndërsa në vitin 2017 u ka shpëtuar dy atentateve me armë dhe eksploziv. Ai është pronari i hotel ‘Unives’ në hyrje të qytetit të Elbasanit. Ardian Çapja është vëllai i Sokol Çapjes, që u ekzekutua në vitin 2005. Si pasojë e përplasjes dhe hasmërisë mes fisit Çapja dhe Mema, në dekadën e fundit në Elbasan janë shënuar shumë viktima nga të dy palët, ndërsa shumë ngjarje janë ende pa autorë.

Gjithçka ka nisur në vitin 2005, kur Sokol Çapja u përfshi në konflikt me ish-kreun e Qarkullimit Rrugor në Elbasan, Fadil Mema. Pas kësaj ngjarjeje mbeti i vrarë Sokol Çapja dhe si autorë u akuzuan nipat e oficerit të Policisë. Kjo pasoi me vrasjen e kunatit të Memës, Ardian Ibrahimi, në maj 2006. Në vitin 2012, Gentian Beqiri, një nga të akuzuarit për vrasjen e Sokol Çapjes, u ekzekutua, ndërsa ishte lënë në arrest shtëpie. Ndërsa në mars 2015, në Torino të Italisë, u ekzekutua Fadil Mema.

Më pas, në shkurt 2016, mbetën të vrarë Agron Çapja, nipi i tij Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli, ndërsa mes tetë të plagosurve ishte dhe Florenc Çapja. Ndërsa në qershor 2016, Ardian Çapja, Florenc Çapja dhe Bledar Muça u arrestuan për sulm ndaj disa efektivëve civilë të Policisë pasi dyshonin se do të kryenin atentat ndaj tyre.