Një grup të rinjsh nga qyteti i Durrësit kanë organizuar në qendër të qytetit, para Bashkisë, një protestë në mbrojtje të vlerave të rrezikuara arkeologjike të qytetit të lashtë. Ata kanë  protestuar kundër projektit “Veliera”, ku sipas tyre, megjithëse çështja është në gjyq, në kundërshtim me ligjin është betonizuar një sektor i rrethuar nga Prokuroria brenda zonës së ndaluar të punimeve, ku është territori arkeologjik i qytetit zona A.

Të rinjtë u kanë bërë thirrje qytetareve që t’i mbështesin duke marrë pjesë në protestë kundër betonizimit të qytetit historik dhe kanë ngritur zërin se po rrezikohet nëntoka e pasur edhe në një zonë tjetër, në atë afër Muzeut të Dëshmorëve, ku janë zbuluar vlera arkeologjike. Të rinjtë kanë kërkuar që vlerat e zbuluara në sheshin ku po ndërtohet “Veliera” të shpallen monumente kulture dhe të mos preken. Dhe kanë akuzuar se projekti “Veliera” është bërë për të justifikuar shpërdorimin e fondeve publike.

Në këtë tubim proteste të të rinjve ka marrë pjesë edhe avokatja e shoqërisë civile Mirela Jorgo, e cila krahas mbrojtjes së kërkesës së grupimit rinor, ka akuzuar për korrupsion edhe gjyqësorin për zvarritje të qëllimshme të seancave si dhe për sabotimin e përzgjedhjes së  gjyqtarit të tretë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Më pas grupimi ka shkuar pranë sheshit ku po ngrihet “Veliera” dhe kanë deklaruar se nuk do të reshtin asnjëherë së protestuari deri në vënien para ligjit të atyre që abuzojnë me vlerat e rralla të qytetërimit të Durrësit.

K.H.