TIRANE– Në zonën verilindore kanë rinisur në orët e para të mëngjesit reshjet e dëborës, por intensiteti i ulët i tyre ka bërë që dëbora në qytetet verilindore vetëm sa është shfaqur, ndërsa në zonat rurale trashësia e saj nuk është më shumë se 20 centimetër. 

Dëbora e rënë ka shkaktuar shqetësim në disa akse rrugore pasi me rënien e temperaturës lëvizja e mjeteve kërkohet të kryhet me zinxhirë. Situata paraqitet më problematike në segmentin rrugor tuneli i Kalimashit-Morinë, ku bora e rënë ka shkaktuar vështirësi në qarkullim. Për këtë qëllim po punojnë 3 borëpastruese për normalizimin e situatës. Probleme gjithashtu regjistrohen edhe në akset Kukës-Shishtavec, Kukës-Krumë, Kukës-Peshkopi, si dhe Fushë Arrëz-Kukës, ndërkohë që raportohet se segmenti rrugor Krumë-Bajram Curri është i kalueshëm me zinxhirë. 

ELBASAN 

Situata paraqitet problematike është në aksin që lidh Tiranën me Elbasanin, nëpërmjet Qafë Kërrabës. Ky segment rrugor raportohet se është bërë i pakalueshëm, gjatë orëve të para të mëngjesit si rezultat i reshjeve të dëborës, si dhe gurëve të cilët kanë bllokuar rrugën. Por, pas marave të marra nga shërbimet e policisë situata u normalizua. 

Edhe aksi që lidh Përrenjasin me Qafë Thanë dhe Qafë Thanë-Maqedoni ka probleme pasi trashësia e borës ka arritur 10 cm. Policia nuk lejon qarkullonin pa zinxhirë. 

GJIROKASTËR 

Dëbora dhe acari kanë mbuluar dje dhe sot qarkun e Gjirokastrës, në jug të vendit. "Që të gjitha zonat, që ndodhen 400 metra mbi nivelin e detit janë mbuluar nga dëbora, ndërkohë në disa segmente rrugore qarkullimi i automjeteve kryet me vështirësi", tha Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë. 

Sipas tij, në komunat Zagori dhe Pogon (Gjirokastër), trashësia e dëborës varion nga 30-40 centrimetra, ndërsa qarkullimi rrugor kryet me zinxhira. Në komunën Frashër (Përmet) dhe Kurvelesh (Tepelenë), dëbora varion nga 50-60 centrimetra, ndërkohë që rrugët janë të pakalueshme. Mullai u shpreh se, "segmenti rrugor kombëtar Jorgucat- Qafa e Muzinës, nga kilometri e 7 deri tek 15, është mbuluar me dëborë, ndërsa qarkullimi kryhet vetëm me zinxhirë". 

"Automjetet e tonazhit të rëndë nuk lejohet të lëvizin në këtë segment rrugor, ndërkohë inspektoriati i qarkullimi rrugor ka dyfishuar numrin e punonjësve", tha Mullai, duke shtuar se moti parashikohet të vështirësohet. "Temperaturat do të vazhdojnë të zbresin nën zero gradë, ndërsa reshjet e dëborës do të jetë të pranishme deri në fundjavë", theksoi ai. Prefektura e qarkut të Gjirokastrës ka një sipërfaqe 2880 km2 dhe një popullsi prej 161.842 banorë.