Rikthehen tensionet dhe përplasjet në koalicionin qeverisës. Aleati i koalicionit qeverisës, Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk është e kënaqur me lëvizjet e ministrave në kabinetin qeveritar ‘Rama’, ndërsa nga ana tjetër i është rikthyer kërkesës së saj se kryeministrin pas 18 qershorit duhet ta marrë LSI. Forca e dytë më e madhe në koalicionin qeverisës i cilëson të vonuara ndryshimet në qeveri dhe kërkon të tjera ndryshime ministrash.

Deputeti i LSI-së, Gjovalin Kadeli, në një prononcim për gazetën “Sot”, i bën thirrje kryeministrit Edi Rama që të largojë dhe ndonjë ministër “mbeturinë” siç e quan, i cili nuk dialogon me qytetarët, por i intereson karrigia e pushtetit.

“Unë do t’i cilësoja lëvizje të vonuara! Vazhdim i zbatimit të reformave dhe bashkëpunimit të domosdoshëm të kësaj mazhorance. LSI i ka bërë me kohë ndryshimet e duhura duke dhënë shembullin e parë, i mbetet PS të vazhdojë të pastrojë ndonjë “mbeturinë” të kamufluar në qeveri edhe afër saj, që të ketë mundësinë e dialogut me qytetarët pa u skuqur për veprimet e ndonjë ministre apo ministri e sidomos ndonjë shërbëtori pranë tyre”, tha deputeti Kadeli.

Socialistët kundër Metës kryeministër

Në prag të zgjedhjeve elektorale, LSI ka rritur kërkesat e saj dhe një ndër kërkesat e saj është posti i kryeministrit. Socialistët i përgjigjen LSI-së se kryeministri i takon partisë më të madhe të koalicionit, që ka më shumë deputetë. Këtë do ta faktojë 18 qershori. Deputetët e PS-së i bëjnë thirrje LSI-së që përpara se të shprehë dëshira të tilla, të ndajë koalicionin, do të qëndrojë apo jo në koalicion me PS-në. Pak ditë më parë ishte ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, e cila u shpreh se kryeministri i takon LSI-së pas 18 qershorit.

“Znj. ministre do ishte më efikase nëse fillimisht kërkon brenda forcës së saj politike që të vendosin për koalicionin me të cilin do të dalin në zgjedhjet e 18 qershorit. Ideale do të ishte sikur të përpunojë dhe të paraqesë dhe një platformë për t’u pranuar nga forcat politike të koalicionit, atëherë një nga pikat e platformës për t’u diskutuar njëherë e mirë do ishte dhe klauzola “partia e parë e koalicionit pas zgjedhjeve ngarkon kryetarin e saj për të formuar qeverinë”. Përcaktimi i kryeministrit të ardhshëm para rezultatit të zgjedhjeve nga secila parti për ‘hesap të vet’, vetëm ndërlikon fushatën e një koalicioni të caktuar (ndërlikon dhe vetë procesin e formësimit të një koalicioni të gjerë paraelektoral)”, u shpreh Kopliku.

Ndërsa deputeti Bujar Çela u shpreh se këto janë deklarata për t’i dhënë shpresë PD-së. “Është një retorikë për të karrikuar elektoratin e tyre dhe për t’u dhënë shpresë elektoratit të PD-së, se tani është në LSI dhe mos të largohen nga aty. Sepse kryetari i Kuvendit do të bëhet kryeministër. Basha rri kot në atë çadër, ajo çadër temperaturë i sjell vetëm Ilir Metës. Bashën do ta zëjë barku”, tha Çela.

/SOT/