4 tërmete me epiqendër në Porto Romano dhe Katund të Ri janë regjistruar në 24 orët e fundit në Durrës.

Lëkundjet kanë nisur pasditen e së dielës, kur është regjistruar i pari me magnitudë 2.4 ballë, në orën 17.06. Po gjatë të dielës, toka është lëkundur edhe dy herë të tjera në Porto Romano dhe lëkundjet kanë pasur intensitet 2.6 ballë. Po 2.6 ballë ka qenë edhe tërmeti i orës 15.17, i ditës së sotme me epiqendër Katundin e ri, 10 km në V-L të Durrësit.

Lëkundjet e fundit tregojnë se nëntoka e Durrësit nuk ka gjetur ende qetësi, pas tërmetit të frikshëm të datës 21 shtator, me magnitudë 5.8 ballë.

Ndërkohë, edhe gjatë të shtunës u regjistrua një tjetër tërmet me intensitet 2.9 ballë, me epiqendër fshatin Karpen.

Lëkundjet e 3 ditëve të fundit vijnë pas një jave të qetë, kur prej mëse 7 ditësh nuk ishte regjistruar asnjë tërmet në qarkun e Durrësit.