3 lëkundje sizmike janë regjistruar në orët e para të mëngjesit në Durrës, më saktësisht në Gjirin e Lalzit, e piqendër e shumë tërmeteve gjatë muajit korrik dhe gusht.

I pari është regjistruar në orën 01.43, i dyti në 02.07 dhe lëkundja e tretë në orën 04.12.

Fatmirësisht të gjitha lëkundjet kanë pasur manjitudë të ulët, përkatësisht 2, 2.1 dhe 1.5 ballë.

Lëkundja e fundit me manjitudë të konsiderueshme në po të njëjtin vend është regjistruar mbrëmjen e së martës, në orën 20.51 dhe kishte manjitudë 2.9 ballë.

Vlen të përmendet fakti se 4 tërmetet e fundit të regjistruar nga IGJEUM, ka pasur për epiqendër Gjirin e Lalzit.

Kujtojmë se zona e Gjirit të Lalzit dhe i gjithë qarku i Durrësit u trondit fort nga tërmeti i datës 4 korrik, me manjitudë 5.1, i cili u pasua nga qindra lëkundje të tjera me manjituda më të ulëta.